“Manipulon opinionin! Nuk prisja fyerje dhe nervozizëm”, përplasje Osmani-Zekolli për Korridorin VIII

Deklarata e djeshme e nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka nxitur reagimin e zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli, duke hapur një debat politik për projektin hekurudhor të Korridorit VIII dhe fondet evropiane, përcjell TV21. Kjo pasi Osmani deklaroi se Maqedonia e Veriut ka humbur 60.77 milionë euro nga fondet IPA të Bashkimit Evropian për segmentin hekurudhor Kriva Pallankë–kufiri me Bullgarinë, pasi Qeveria, sipas tij, nuk ka arritur ta nënshkruajë kontratën brenda afatit.

“Korridori VIII është korridor strategjik i mobilitetit ushtarak të NATO-s. Çdo goditje ndaj tij dobëson interesin e NATO-s dhe favorizon interesin rus në rajon”, shkroi Osmani.

Kjo deklaratë u kundërshtua nga zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, e cila e akuzoi Osmanin për manipulim të opinionit dhe tha se faktet tregojnë se projekti po ecën përpara.

“Bujar Osmani vazhdon t’a gënjen popullin, ndërsa faktet e demantojnë. Vetëm pak orë pasi në Sofje u konfirmuan hapat konkretë për realizimin e hekurudhës me Bullgarinë në kuadër të Korridorit VIII, Bujar Osmani zgjodhi edhe një herë të manipulojë opinionin. Faktet janë të qarta: projekti po ecën përpara, për fazën e tretë tashmë janë siguruar 149 milionë euro grant, ndërsa po koordinohen hapat e fundit me palën bullgare dhe partnerët evropianë për realizimin e tunelit ndërkufitar. Ata që lanë pas një projekt të paplotë e të pazbatueshëm, sot nuk kanë kredibilitet të flasin për këtë projekt. Hekurudha me Bullgarinë do të bëhet realitet. Faktet janë më të forta se gënjeshtrat”, ka shkruar Zekolli.

Osmani më pas iu përgjigj reagimit të Zekollit, duke thënë se nuk priste “fyerje dhe nervozizëm” prej saj. Ai e përgëzoi për takimin me palën bullgare, por pretendoi se procesi ishte nisur më herët dhe se sipas tij, kishte ngecur me ardhjen e qeverisë aktuale.

“Pavarësisht dallimeve politike, nuk prisja fyerje dhe nervozizëm nga Kaltrina Zekolli. Nga të tjerët përreth saj – po, por nga Zekolli jo. Ja, do ta përgëzoj që paska pasur një takim të suksesshëm në kuadër të grupit të punës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. I njoh mirë ato grupe, sepse ne i nisëm para më shumë se katër vjetësh, por për fat të keq puna e tyre ngeci me ardhjen e Qeverisë suaj dhe nuk pati vazhdimësinë e nevojshme. Por, Kaltrina, kjo nuk e ndryshon faktin se shefi yt, Aleksandar Nikollovski, përmes ekzibicioneve politike me “mite për tunele që nuk përfundojnë askund”, u përpoq t’i ridrejtonte mjetet nga Korridori 8, Shqipëri–Bullgari, drejt Korridorit 10, Serbi–Greqi. Natyrisht, pa sukses, sepse Korridori 8 është korridor sigurie, zbatimi i të cilit garantohet nga instanca më të larta. Por pikërisht ky ekzibicion i tij na solli në situatën që të humbim mbi 60 milionë euro nga fondet IPA, të parashikuara për realizimin e fazës së dytë. Këto mjete janë humbur në mënyrë të pakthyeshme. Ky është fakt, jo gënjeshtër”, ka shkruar Osmani.

Kujtojmë se më herët, Osmani dhe Zekolli gjithashtu kishin përplasje në lidhje me meritat për projektin e autostradës së papërfunduar Shkup-Bllacë.