Man United takohet me agjentin Jorge Mendes për ta diskutuar transferimin e parë të Ruben Amorim

Manchester United thuhet se janë takuar me agjentin Jorge Mendes për të diskutuar rreth mundësisë së transferimit të njërit nga lojtarët më të mirë në elitën e futbollit portugez.

Ruben Amorim bëri kalimin në ‘Old Trafford’ nga Sporting Lisbona më herët këtë muaj, me detyrën për ta udhëhequr Unitedin përpara pas shkarkimit të Erik Ten Hag.

39-vjeçari që atëherë ka marrë fitoren e tij të parë duke mposhtur me rezultat 3-2 Bodo/Glimt në kuadër të Ligës së Evropës të enjten.

Shumë gjëra u thanë për ndryshimet që do t’i bëjë Amorim që nga formacioni i tij 3-4-3 që nuk dukej aq premtues në fillim, por tashmë ka pasur shembuj të qartë se si pret ai që ekipi të luajë me këtë sistem të ri.

Sipas një raportimi nga Manchester Evening News, United tashmë ka bërë disa kontakte sa i përket transferimit të parë të Amorim.

Burime pranë klubit kanë bërë me dije se drejtuesit janë takuar me Jorge Mendes për të diskutuar mundësinë e transferimit të Geovany Quenda.

United në të kaluarën ka bërë biznes me Sportingun e sidomos me agjentin e Quendas, Jorge Mendes.

Agjencia e Mendes po negocion në emër të 17-vjeçarit dhe një marrëveshje mund të arrihet jo më larg se këtë verë.

Sidoqoftë, ende nuk ka pasur ndonjë ofertë formale në drejtim të Sportingut, por që United do të duhet të mposhtë konkurrencën e PSG-së që po ashtu janë të interesuar për Quendan.