Sport Man City vazhdon me fitore, triumfon thellë në udhëtim te Brightoni

Man City vazhdon me fitore, triumfon thellë në udhëtim te Brightoni

Manchester City ka fituar me lehtësi te Brightoni me rezultat 4-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë në Ligën Premier.

Ekipi i Pep Guardiolas ka vazhduar serinë pozitive në kampionat duke marrë një fitore të radhës në ndeshjen ndaj Brightonit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Cityt, i cili përveç rasteve të shumta arriti t’i shënojë edhe tri gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm 13 minutave lojë dhe ishte Ilkay Gundogan, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Bernardo Silvas.

Pas golit të parë në skenë doli anglezi Phil Foden, i cili në minutën e 28-të shënoi për 0-2 pas asistimit të Jack Grealish, ndërsa në minutën e 31-të devijoi një goditje të Gabriel Jesus për epërsinë 0-3.

 

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, pasi City vetëm donte të menaxhonte rezultatin, teksa dy ekipet arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 80-të dhe ishte Alexis Mac Allister, i cili shënoi nga penalltia për 1-3, ndërsa Riyad Mahrez (90+) shënoi për rezultatin përfundimtar 1-4.

 

Pas kësaj fitore, City e sheh veten në pozitën e dytë me 20 pikë, ndërsa Brigtoni zë vendin e katërt me 15 pikë.

Në ndeshjen e radhës, “Qytetarët” e presin Crystal Palacen, ndërsa Brightoni udhëton te Liverpooli.