Mali i Zi kërkon anëtarësim të plotë në BE: Nuk e pranojmë statusin e një anëtari të dorës së dytë

Mali i Zi dëshiron anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian dhe të drejta të barabarta me anëtarët e tjerë, tha Ministrja malazeze për Çështjet Evropiane, Maida Gorcevic, duke theksuar se Podgorica është e gatshme të pranojë mekanizma për mbrojtje nga regresioni demokratik, por jo kufizime të të drejtave.

“Mali i Zi është shumë i qartë. Ne duam anëtarësim të plotë”, tha Gorçeviç, duke komentuar propozimet në BE që anëtarët e rinj përkohësisht të mos kenë të drejta të caktuara, përfshirë të drejtën e votës në zona të caktuara.
Ajo theksoi se Mali i Zi ka negociuar me BE-në për 14 vjet dhe se barazia është me rëndësi të veçantë për vendin.

Në Bashkim ka një debat nëse anëtarët e ardhshëm duhet të pranojnë kufizime të përkohshme ose strukturore që lidhen me buxhetin, zgjerimin dhe politikën e jashtme, për shkak të shqetësimeve midis disa anëtarëve aktualë rreth një prapambetjeje të mundshme demokratike.

Gorçeviç theksoi se Mali i Zi nuk ka ndërmend të përdorë veton për të bllokuar vendimet në të ardhmen, por nuk do ta pranonte statusin e një “anëtari të nivelit të dytë” si pjesë të marrëveshjes së pranimit.

Mali i Zi deri më tani ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt e negociatave dhe planifikon të mbyllë ato të mbeturat deri në fund të vitit, me qëllim që të bëhet anëtar i BE-së në vitin 2028.

Sipas Gorcevic, integrimi gradual dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë hapa të dobishëm, por ato nuk mund të jenë zëvendësim për anëtarësimin e plotë.