Lulzim Basha zgjidhet kryetar i PD-së në Shqipëri

Partia Demokratike zyrtare në Shqipëri ka zgjedhur të shtunën kryetarin e ri. Në krye të PD-së është kthyer sërish Lulzim Basha.

Në një komunikim për mediat, zyrtari i PD-së Jemin Gjana deklaroi se Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar, dhe bazuar në të dhënat e votimeve, siç thotë ai, në 71 degët e PD-së, rezultoi se kanë marrë pjesë në votime 18.052 anëtarë të PD, në raport me listën e miratuar.

“Nga 18.052 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, janë gjetur 18.052 fletë votimi në kuti. Të pavlefshme kanë rezultuar 199. Komisioni Elektoral deklaron fitues të zgjedhje për kryetar Lulzim Bashën”, ka thënë Gjana, raportojnë mediat në Shqipëri.

Në garë për këtë pozitë ishte Basha dhe Gjergj Hani, një ish-i persekutuar politik.

PD-ja shkoi në këto zgjedhje e përçarë dhe e ndarë në tri pjesë.

Numri i anëtarëve për zgjedhjet e sotme është reduktuar në 25 mijë, ose tri herë më pak sesa ishte në zgjedhjet e fundit në këtë parti në vitin 2021, kur anëtarësia numëronte rreth 75 mijë persona.

Deri para këtij procesi, PD-ja ishte e ndarë në dy pjesë, mes mbështetësve të Lulzim Bashës dhe atyre të Sali Berishës.

Por, zhvillimi i këtij procesi e ka thelluar edhe më shumë përçarjen.

Zgjedhjet për kreun e PD-së janë kundërshtuar nga një tjetër grupim, nga sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi dhe shtatë deputetë që e mbështesin atë.

Një ditë më parë një grup deputetësh e çoi këtë çështje në gjykatë, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e kryesisë, përfshirë edhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës, që vijon të jetë kryetar i PD-së, në regjistrin e partive politike.

Situata e paqartë dhe e paqëndrueshme në PD është krijuar pas 21 marsit të vitit 2022, kur Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje si kryetar i PD-së dhe vendin e tij e ka zënë Enkelejd Alibeaj.

Pas humbjes në zgjedhje, Alibeaj dha dorëheqje nga drejtimi i PD-së.

Më 25 mars të 2022, Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e ka njohur si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha dhe të gjitha vendimet që u morën prej tij.

Ky vendim është apeluar nga Enkelejd Alibeaj, si ushtrues detyre i Partisë Demokratike.

Gjykata e Apelit pati vendosur që çështja të rigjykohet në shkallën e parë të gjyqësorit.

Pas humbjes së thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enkelejd Alibeaj, ka dhënë, po ashtu, dorëheqje.

PD zyrtare është në zyra me qira, pasi selinë e saj e ka marrë me dhunë Berisha.