Luis Enrique flet për transferimet e PSG-së: Jam shumë i kënaqur, sidomos në këtë lojtar

Në fund të afatit kalimtar veror për futbollistë, padyshim një nga marrëveshjet më të mëdha u bë nga PSG.

Kampionët francez solli në radhët e tyre sulmuesin Randal Kolo Muani nga Eintracht Frankfurt për pak më shumë se 90 milionë euro.

Së bashku me francezin, PSG ka sjellë edhe një lojtar nga Lyoni, 21-vjeçarin Bradley Barcola dhe e gjithë kjo ka gëzuar trajnerin e Parisit, Luis Enrique.

“Mendoj se në këtë moment dhe duke pasur parasysh rrethanat, nuk mund të kishim bërë një periudhë më të mirë tranzicioni. Jo, nuk kishim nevojë për askënd në mesfushë. Kemi një numër të mjaftueshëm lojtarësh cilësorë aty. Kolo Muani dhe Barcola janë shumë të mirë si përforcime sepse mund të luajnë në disa pozicione. Unë preferoj lojtarë të tillë”, ka thënë Luis Enrique.

Meqë ra fjala, PSG shpreson që në ditët në vijim ta shesë italianin Marco Verratti në Arabinë Saudite, pasi sot vetëm konfirmoi largimin e Gio Wijnaldum.

“Kolo Muani është një përforcim vërtet luksoz. Duke qenë se ai është francez, kjo e forcon identitetin e klubit tonë. E kemi ndjekur dhe jam i sigurt se ai do të përmirësojë shumë lojën tonë. Jemi gati për sezonin, të paktën kam dy zgjidhje shumë cilësore në çdo pozicion”, ka thënë trajneri spanjoll.

PSG ka blerë lojtarë si: Manuel Ugarte nga Sporting, Lucas Hernandez nga Bayern Munich, Kan-in Lee nga Mallorca, Ousmane Dembele nga Barcelona dhe Gonçalo Ramos nga Benfica.

Hugo Ekitike edhe pse erdhi vjet nga Reims u pagua për 28.5 milionë euro këtë verë, ndërsa erdhi edhe Xavi Simons nga PSV për 4 milionë euro, por u huazua sërish.

Po ashtu PSG nënshkruan falas me Milan Skriniar dhe Marco Asensio.