Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” njoftoi se pas më shumë se tre vitesh po ndërpret fluturimin direkt nga Frankfurti për në Shkup. Në sistemin e rezervimeve nuk ka më fluturime të disponueshme pas datës 31 maj, as për sezonin veror dhe as për atë dimëror që fillon në fund të tetorit. Kompania ofron lidhje alternative përmes Vjenës me “Austrian Airlines”, e cila gjithashtu është pjesë e Grupit Lufthansa, shkruan exyuaviation, transmeton INA.
Kjo linjë operonte nga shtatë deri në dhjetë herë në javë, varësisht nga sezoni, ndërsa këtë dimër numri i fluturimeve ishte reduktuar në tre herë në javë. Fluturimi i parë nga Frankfurti për në Shkup u realizua më 23 prill 2023. Duke pasur parasysh pasigurinë ekonomike, grevat e ekuipazheve dhe rritjen e çmimeve të kerozinës, kompania ajrore ka bërë ndryshime të rëndësishme në orarin e saj veror, duke anuluar edhe linja të tjera të shkurtra dhe jo-rentabile.
Edhe transportuesi kombëtar kroat “Croatia Airlines” ka bërë shkurtime serioze, duke anuluar fluturimet e mëngjesit nga Zagrebi për në Shkup dhe duke reduktuar rotacionet javore nga 11 në vetëm katër fluturime.
Megjithatë, dy aeroportet e Maqedonisë së Veriut, të menaxhuara nga TAV Maqedoni, shënuan rritje rekorde të qarkullimit të pasagjerëve në katër muajt e parë të vitit 2026. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit dhe në Aeroportin e Ohrit janë shërbyer gjithsej 1,2 milionë pasagjerë, gjë që paraqet një rritje prej 32,4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (INA)



