“Lufta” për rrugët në Strugë, në Gjykatën Kushtetuese

Edhe shtatë muaj pasi arteria kryesore e trafikut në Strugë u bë njëkahëshe, Këshilli Komunal dhe kryetari i kësaj komune Ramiz Merko zhvillojnë një betejë politike që madje ka arritur deri në Gjykatën Kushtetuese. Këshilli kërkon që të kthehet trafiku dykahësh, por Merko është kundër. Këto ditë, qyteti është i mbushur me mërgimtarë që kthehen për festat e Vitit të Ri, kështu që pritet rrëmuja në rrugët kryesore të sjellë një kolaps të ri të trafikut. Përkatësisht, Këshilli i Strugës dy herë miratoi konkluzë duke urdhëruar pushtetin lokal ta rikthejë regjimin e trafikut dykahësh, i cili u miratua në vitin 2013, por të cilin Merko këtë verë e ndryshoi.

Këtë vendim e ka miratuar me qëllimin e vetëm që korsinë e majtë ta kthejë në parking”-tha Alen Dereban, këshilltar i VMRO DPMNE-së.

Por, pasi këshilli për së dyti herë e miratoi vendimin e njëjtë, kryetari i komunës e kontestoi atë para Gjykatës Kushtetuese. Alsat u përpoq të kontaktojë me Merkon për ta shpjeguar këtë, por nuk u përgjigj. Prandaj, për këtë gjendje flasin kundërshtarët e tij politikë.

Për problemin është njoftuar edhe Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale, por edhe më tej nuk ka zgjidhje. Ndërkohë, qytetarët thonë se po jetojnë në një kaos të trafikut.

“Problemi është i madh. Sidomos rruga për në Dibër, nuk ka dalje. Duhet të futeni rrugicave për të dalë në rrugën për në Dibër … “

“Ne që punojmë në kafene kemi problem të madh. Humbim edhe kohë edhe nervozë edhe bëhet rrëmujë në komunikacion”.

Banorët e Strugës thonë se për shkak të situatës aktuale shpesh duhet të ngasin disa kilometra për të arritur në destinacionin e tyre përfundimtar.