Lufta për Kodin Zgjedhor: Shasivari i thërret partitë në tryezë, opozita kërcënon me mijëra amendamente!

Shkup – Përplasja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor hyn në një fazë të re. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, të mërkurën do të tentojë t’i ulë në një tryezë të përbashkët partitë parlamentare për të gjetur një kompromis.

Por dallimet mes partive mbeten të mëdha.

VMRO-DPMNE mbështet një njësi zgjedhore dhe më shumë mjete për partitë më të vogla, ndërsa votimi i diasporës mbetet, sipas tyre, prioritet strategjik. Si një nga opsionet është propozuar edhe votimi përmes postës.

LSDM këmbëngul për ndryshime në mënyrën e votimit, rrethimin e fletës së votimit dhe votimin e diasporës, duke paralajmëruar se rregullat aktuale mund të krijojnë hapësirë për manipulime.

Ndërkohë, Levica ka paralajmëruar pjesëmarrjen në takimin e së mërkurës, me fokus të veçantë te reklamimi politik gjatë fushatave.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, propozimet mund të dorëzohen veçmas në Kuvend. Opozita ka paralajmëruar rreth 13 mijë amendamente, ndërsa vetëm LSDM-ja kishte paralajmëruar rreth 10 mijë.

Tryeza e Shasivarit kështu mund të jetë testi i radhës: kompromis për Kodin Zgjedhor apo një tjetër përplasje politike në Kuvend?