Lufta në Ukrainë ‘nuk e ngadalëson’ integrimin e Maqedonisë së V.

Procesi për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut nuk do të ngadalësohet për shkak të luftës në Ukrainë, përkundrazi ai mund të përshpejtohet për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike dhe nevojës për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Kështu kanë deklaruar të enjten në Shkup, ambasadori francez në Maqedoninë e Veriut, Cyrille Baumgartner, në një konferencë për media së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, David Geer.

“Procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut i japim një rëndësi strategjike. Kjo është diçka që tashmë është pranuar dhe autoritetet franceze kanë arsye që këtë ta theksojnë publikisht në shumë raste se Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha kushtet që kërkohen nga BE-ja. Sipas nesh, por mendoj edhe vendeve tjera, Maqedonia e Veriut viteve të fundit ka bërë përparime dhe ka shpejtuar dinamikën e afrimit drejt BE-së. Ne e themi se ky proces është shumë i rëndësishëm për shkak të stabilitetit rajonal. Edhe sot e them se kontesti i ri gjeopolitik vetëm sa i përforcon këto vlerësime tonat”, ka deklaruar ambasadori francez Cyrille Baumgartner, vendi i të cilit kryeson me BE-në.
Pasi dënuan agresion rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dy ambasadorët thanë se BE-ja po bën gjithçka të mundur për ndalimin e pushtimit rus.

Ata theksuan se “sanksionet kundër Moskës dëshmuan unitetin dhe fuqinë mes shteteve të BE-së për të qenë pranë Ukrainës dhe popullit të saj duke besuar se do të japin rezultate në ndalimin e veprimeve luftarake pushtuese të Moskës.

Ata, gjithashtu, shprehën mirënjohje për pozicionin e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të sanksioneve kundër Rusisë, dënimin e agresionit dhe gatishmërinë për të ndihmuar dhe pranuar refugjatë që ikin nga vatrat e luftimeve në Ukrainë.

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë si “kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”./Rel