Lufta e Ukrainës/ Paralajmërohet ndryshimi i madh botëror

Për të tetën ditë më radhë, në Ukrainë po vazhdojnë sulmet ruse, e cila më 24 shkurt nisi pushtimin e fqinjit të saj.

Deri më tani, vetëm një qytet i madh i Ukrainës, Kherson është konfirmuar se ka rënë nën pushtimin rus, ndërsa lufta më e madhe po zhvillohet për kryeqytetin, Kievin.

E Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar me 141 vota rezolutën e mbështetur edhe nga Shqipëria, e cila dënon pushtimin rus në Ukrainë “në termat më të fortë të mundshëm”.

Ministria e Mbrojtjes ruse për herë të parë pranoi humbjet e ushtrisë së saj në Ukrainë. Sipas tyre, 498 ushtarë rusë u vranë gjatë shtatë ditëve luftime në Ukrainë. Kurse sipas autoriteteve ukrainase, numri i ushtarëve rus të vdekur gjatë kësaj jave është 5 mijë e 840.

Kurse Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë ka njoftuar se të paktën 2 mijë civilë ukrainas janë vrarë deri më tani nga pushtimi rus. “Më shumë se 2,000 ukrainas vdiqën, pa llogaritur mbrojtësit tanë. Fëmijët, gratë dhe forcat tona mbrojtëse po humbasin jetën e tyre çdo orë”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Shtetëror të Emergjencës në Ukrainë.

Image

Gurakuç Kuçi

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, lufta e Ukrainës do ta ndryshojë edhe rëndin e ri botëror.

“Sot jemi në situatën kur vendet do rirenditen bazuar në tri parim: civilizimin, ideologjinë dhe gjeopolitikën. Në këto tri koncepte do të rirenditen aleancat përsëri ngjashëm sikur në luftën e ftohtë. Këto tri koncepte do jenë arsyetimet kryesore për rirenditje edhe të perëndimit dhe riunifikimin e tyre. Pra, kur jemi te perëndimi, këta do afrohen me vendet që kanë një civilizim të përbashkët apo të përafërt, me ato vende me ideologji demokratike dhe sipas interesit gjeopolitik”, thotë Kuçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Rusia po synon ndarjen e Ukrainës me perëndimin.

“Bota sot nuk është e përqendruar vetëm në Evropë, një zhvillim të hovshëm e gjejmë edhe nga Azia dhe Afrika, madje parashikimi është që Afrika do jetë e ardhmja e investimeve, këto janë mundësi të hapura për Rusinë. Mirëpo, Rusia nuk do të mund të arrijë këto nëse shterohet tani nga Perëndimi financiarisht. Rusia po synon ndarjen e Ukrainës përafërsisht afër lumit Dnjepër por duke e lënë Kievin në anën perëndimore”, shprehet Kuçi.

Por kush do të jetë fitues në mes Rusisë në njërën anë dhe Ukrainës në anën tjetër, e cila është e përkrahur nga shumica e perëndimit.

“Lufta në fund mund të mos ketë fitues, por humbëse mund të jetë Ukraina duke u tkurrur territorialisht, përderisa një rend i ri me vija të reja bazuar në tri konceptet e përmendura më lartë po krijohet dhe kjo pastaj do të mundësoj edhe një periudhë paqeje në të dy anët e atlantikut dhe gjithë Evropën. Ngjarjet e tanishme treguan se përafrimet e shteteve pa pasur interesa reciproke për ndryshim kursi politik janë ndëshkim i aleatëve si më rastin e sjelljes së BE-së ndaj Serbisë dhe Kosovës”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.