Lubço Georgievski riparoi dëmin që e bëri Bujar Osmani me qëndrimet e tij proserbe, Bullgaria heq “veton”

Safet Xhelali

Marrëdhëniet e tendosura dhjetë ditët e fundit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë shënuar një shtensionim gjatë ditës pas vizitës së ish kryeministrit Lubço Georgievski në Sofje.
Kjo tregon qartë se cili ishte shkaku i vërtetë i acarimit të Sofjes me Shkupin. Duke pasur parasysh se acarimi ndodhi me vizitën e Bujar Osmanit në kryeqytetin bullgar, vërtetohet ajo që e shkruajti gazeta Lajm se në fakt ishin deklaratat proserbe të Osmanit i cili ndër politikanët e parë (nëse jo i pari), përmendi “vijat e kuqe maqedonase” në negociatat me Bullgarinë, që në rastin konkret de facto ishin “vija të kuqe” serbe. Ky ishte një shok i vërtetë për Sofjen, duke pasur parasysh se politika bullgare i konsideron shqiptarët si aleatë në çlirimin e Maqedonisë së Veriut nga ndikimi serb, e jo si kundërshtarë. Me paraqitjen e tij Bujar Osmani dha shembull të kundërt. Prandaj edhe hasi në një pritje të ashpër në Sofje. Fatmirësisht ky dëm i shkaktuar nga Osmani si duket u tejkalua dhe tonet optimiste nga kryeministri Zaev pas bisedës telefonike me “vëllaun” e tij Borisov, japin bazë për optimizëm.
Mirëpo ajo që ne si opinion shqiptar duhet patjetër ta analizojmë dhe sqarojmë është se pse ndodhi deklarata fatkeqe e Osmanit për “vijat e kuqe maqedonase” ndaj Bullgarisë (që siç tham më lartë, në rastin konkret ishin “vija të kuqe serbe”).
Shkaku i parë, sipas meje, mund të jetë mentaliteti i tij i ngjashëm me mentalitetin e “kërmillit” (në kuptimin figurativ, e jo ofendues), që është ngjitur në majë të plepit duke lëpirë. Është fakt se përveç aftësisë për kakakfoni boshe, Osmanin në majat e politikës në Maqedoni e mban edhe lojaliteti maksimal që tregon ndaj padronëve maqedonas, pasi nuk e don as partia e tij (Izet Mexhiti dhe dega e Çairit deri në moment të fundit nuk deshën ta votojnë). Duke dashur të tregohet me “vijat e kuqe” më maqedonas se maqedonasit, Osmani me siguri ka pasur për qëllim të forcojë pozitat te padronët maqedonas, duke harruar ndoshta për një moment se tani nuk është më ministër në qeverinë e Nikolla Gruevskit e Sasho Mijallkovit.

Shkaku i dytë mund të jetë fakti se Bujar Osmani është politikan deri dje i dyshuar nga Prokuroria dhe i takon një partie e cila edhe kryetarin e ka të dyshuar për vepër penale në rastin “Regjistrimi”. Sdo mend se me çdo hap të bërë drejt BE-së shtohet frika e politikajve të implikuar në vepra kriminale se u afrohet edhe dita kur mund të përballen me drejtësinë. Prandaj duke sabotuar procesin e integrimit me provokime ndaj fqinjëve, shpresojnë se do të fitojnë edhe ndonjë ditë më tepër nga dhënia e përgjegjësisë.

Shkaku i tretë ka të bëjë me faktin se që nga viti 2000, kur Arbër Xhaferi dhe ministrja e jashtme suedeze në atë kohë, Ana Lind, e shpallën Maqedoninë si vend lider ballkanik në rrugën e eurointegrimit, nuk janë ndalur përpjekjet e Beogradit për të minuar këtë rrugë, me qëllim që Maqedonia të mos anëtarësohet në BE para Serbisë. (Këtë ngjarje në atë kohë e pat përshkruar në mënyrë ekselente gazetari Emin Azemi me një kolumnë te Fakti. E kisha lutur nëse e ka ende atë kolumnë ta ribotojë, sepse paramilitarët në vitin 2001 ma kanë djegur gjithë arkivin e gazetave Fakti). Në këto përpjekje, për të sabotuar rrugën e Shkupit drejt Brukselit, Serbia shfrytëzon edhe politikanë shqiptarë që i ka kultivuar me vite si “kokrra e mollës”, bile edhe duke ua dizajnuar frizurat në formë ikebane. Ata aktivizohen në momentin e duhur në stilin e “dreqit të vogël” sa për të bë sherrin. Fatmirësisht në këtë rast “dreqi i vogël” si duket dështoi, sepse kryesyes të BE-së kemi mikun e madh Gjermaninë e cila me çdo kusht insiston të hapen negociatat.
Sidoqoftë pas dështimit të Osmanit dhe suksesit të Lubço Georgievskit, krijohet përshtypje para faktorit ndërkombëtar se shqiptarët edhe pse mbajnë poste të larta, nuk kanë kapacitet të zgjedhin probleme serioze. Kjo është përshtypje e gabuar, prandaj Osmani po të ketë një grimcë morali politik duhet të japë dorëheqje pas këtij dështimi dhe të ja lë vendin ndonjë kuadri më të aftë dhe të pakompremetuar.