Luan Jaha flet për rolin e tij në filmin në “Kuadër të dashurisë”

Aktori i njohur nga Kosova, Luan Jaha, ka qenë po ashtu pjesë e filmit “Në kuadër të dashurisë”.

Ai ishte së fundmi i ftuar në studion e “Live From Tirana”, ku ka dhënë më shumë detaje rreth këtij filmi.

Ndonëse për publikun në Shqipëri nuk ishte edhe aq familjar, artisti theksoi se ky ishte edhe qëllimi i tij.

Foto: Top Channel

“Ky ishte dhe qëllimi im, që të krijoj një kontakt më të afërt me publikun. Unë kam ardhur në Tiranë shpesh me teatër, por siç e dimë teatri ka një kategori të caktuar publiku. Dhe magjia e filmit është kjo që të shfaqet në shumë kinema dhe të ketë më shumë impakt. Ia kemi dalë”, u shpreh Jaha.

Sa i përket rolit në film, Luani shtoi: “Ai i kthehet më shumë vetes. Tani vjen një kohë që duhet të shpalosen ato dëshira që i ka mbajtur të ndrydhura brenda vetes në rini. Këtu është komikja e rolit. Unë sa e marr rolin tim, gjithmonë e përqafoj, e dua më shumë se veten. I adhuroj rolet, i përkëdhel. Jam pak i papërgjegjshëm si natyrë, por në role kjo më bën ndryshe. Ky është një rol që i ka ndrydhur dëshirat e veta dhe tani i kthehet atyre”.

Foto: Screenshot/Instagram

Teksa pyetet nëse ngjason me rolin e Xhevit në jetën reale, aktori theksoi: “Jo! Unë jam tip shumë familjar, bëj shumë pas familjes, obligimeve familjare. E kam kryer atë fazë më herët”.

I njëjti vlen të ceket se merret me aktrim që një kohë të gjatë, gjersa për publikun u bë më i njohur në serialin “Familja Moderne”.