LSM: Nga nesër fillojmë me grevë, kërkesat tona nuk u miratuan në Komisionin për Financa dhe Buxhet

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë për nesër ka shpallur grevë të përgjithshme në sektorin publik për shkak se, siç theksojnë, kërkesat e tyre për rritje lineare të pagave të punonjësve të sektorit publik për 2806 denarë dhe kthim të së drejtës së regresit nga viti 2023 nuk janë përmbushur.

“Në seancën e djeshme të Komisionit për Financa dhe Buxhet nuk ka kaluar amendamenti i LSM-së në buxhetin suplementar, i cili është dashur të sigurojë mjete për rritje lineare të pagave. Punëtorët ishin dëshmitarë të sjelljes së turpshme të deputetëve nga shumica qeverisëse të Komisionit për financa dhe buxhet të cilët kundërshtuan ashpër propozim-amandamentin me të cilin parashihen mjete në buxhet për rritjen e pagave të punonjësve të sektorit publik për 2806 denarë”, thonë nga LSM-ja.

Nuk është mirë, shton sindikata, të mos jesh në anën e punëtorëve, të cilët janë edhe votues.

“Vota kundër punëtorëve është edhe një votë kundër partisë politike që ju përfaqësoni dhe një tjetër votë për grevë të përgjithshme e cila për shkak të këtyre shtatë deputetëve të shumicës qeverisëse fillon nesër. Mos harroni se punëtorët ju lutën sot ndërsa ju do t’i lutni nesër”, thuhet në njoftimin e LSM-së pas refuzimit të amendamentit të tyre.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sqarojnë se sipas rregullave gjatë grevës së përgjithshme do të sigurohet kapacitete në dispozicion vetëm prej 10 përqind të të punësuarve në këtë sektor.

Organet më të larta të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë më 3 qershor lajmëruan për vendimin për grevë të përgjithshme më 22 qershor, nëse deri atëherë nuk do të plotësoheshin kërkesat e tyre.