LSDM: Para se të kthehet në fakultet, Mickoski do të duhet të mbajë përgjegjësi për politikat e tij

Lidhja Socialdemokrate në opozitë, përmes një komunikate ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk ka ndërmend të kandidojë për president të shtetit në vitin 2029 dhe se pas përfundimit të mandatit planifikon të kthehet në fakultet, duke vlerësuar se ai nuk mund të tërhiqet nga politika pa mbajtur përgjegjësi për politikat dhe situatën në vend gjatë qeverisjes së tij.

​”Pra, pasi ta plaçkitë Maqedoninë, ta izolojë nga rruga evropiane, të vendosë gjyqësorin dhe prokurorinë e tij dhe ta çojë shtetin drejt një kolapsi ekonomik e institucional, ai dëshiron të largohet i qetë dhe t’i kthehet karrierës akademike?

Nuk do të jetë kështu! Mickoski nuk mund të largohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, thuhet në komunikatën e partisë
​Nga aty pretendojnë se pushteti aktual po e largon shtetin nga integrimet evropiane dhe paralajmërojnë se në të ardhmen do të kërkohet përgjegjësi nga bartësit e funksioneve publike.

​”Nuk mund të shkojë në pension apo në fakultet pasi e solli Maqedoninë në izolimin më të rëndë në dekadat e fundit, pasi bllokoi perspektivën evropiane dhe pasi e shndërroi shtetin në pre të një grupi të organizuar kriminal. Koha e të vërtetës dhe e drejtësisë po vjen. Po vjen momenti kur Maqedonia do të kthehet në rrugën evropiane, kur prokuroria do të jetë evropiane dhe e pavarur, dhe kur do të kërkohet përgjegjësi nga ata që e shkatërruan shtetin”, shtojnë nga opozita.
​Në reagim, partia përsërit se Mickoski do të duhet të japë llogari për politikat që po zbaton qeveria aktuale.

​”E ne e dimë saktësisht se kush është shefi i këtij grupi të organizuar kriminal që e quan veten VMRO. Mickoski mund të ëndërrojë për kthimin në fakultet. Realiteti është se para kësaj ai do të duhet të përgjigjet për atë që i bëri Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Përveç nëse e ka fjalën për atë thënien: ‘Burgjet janë universitetet tona!’”, thonë nga LSDM.