LSDM: Opozita t’i kthejë rrogat nëse e bllokon Kuvendin

Deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov ka dërguar kritika deri te opozita e kuvendit për bllokadën që po i bëhet pakos së 5 ekonomike.

Ai ka vlerësuar se deputetë e kanë për detyrë të punojnë, sepse për këtë janë zgjedhur nga qytetarët, megjithatë shtoi, se nëse deputetë e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe të “Levica” të bllokojnë, le t’i kthejnë pagat.

“Partitë e të gjithë partive politike e kanë për obligim ndaj qytetarëve që të kryejnë punën, për çfarë marrin paga. Nëse duan VMRO-DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarë dhe “Levica” të bllokojnë, le t’i kthejnë pagat për këtë muaj, se edhe ashtu asgjë nuk kanë punuar pos bllokadës”, tha Kostadinov.

Ai ka akuzuar opozitën shqiptare, se me këtë veprim është në koalicion joformal me VMRO-DPMNE-në.

“VMRO-DPMNE-ja bashkë me partnerin e koalicioni joformal Aleanca dhe Levica, bashkë marrin pjesë në bllokimin e ligjeve të cilat sigurojnë realizim të masave ekonomike nga pakoja e katër dhe pestë ekonomike”, akuzoi Kostadinov.

Kjo deklaratë vjen, ngaqë sot në rend dite të kuvendit ishte caktuar seanca për pakon e 5 ekonomike, por ajo u anulua, pasi nuk ka kuorum për të mbajtur seanca plenare./TV21