Lojtarit iranian i skadon viza amerikane pas ndeshjes së parë

Një tjetër skandal ka shpërthyer në Kupën e Botës, duke vënë në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e tensionuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Sulmuesi anësor i kombëtares iraniane, Mehdi Torabi, rrezikon seriozisht vazhdimin e pjesëmarrjes në turne pasi viza e tij amerikane skadoi menjëherë pas ndeshjes së parë ndaj Zelandës së Re, e mbyllur me rezultatin 2-2.

Sipas mediave shtetërore iraniane, ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës që pajisej me viza me shumë hyrje, Torabi kishte marrë vetëm një vizë me hyrje të vetme në SHBA.

Kjo ka krijuar një situatë të ndërlikuar, pasi Irani duhet të rikthehet në territorin amerikan për ndeshjet e ardhshme të fazës së grupeve.

Federata Iraniane e Futbollit ka nisur menjëherë procedurat për pajisjen e lojtarit me një vizë të re, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Ndërkohë, ekipi iranian u largua menjëherë pas ndeshjes drejt Meksikës, ku ka vendosur bazën e përkohshme për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Raportet flasin edhe për probleme të tjera në aeroportin e Los Angeles, ku kapiteni Mehdi Taremi dhe një anëtar i stafit u përballën me vonesa dhe kontrolle shtesë.

Autoritetet amerikane dhe organizatorët e turneut nuk kanë reaguar ende për incidentet.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse Torabi do të arrijë të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm për t’u rikthyer në SHBA para përballjes së rëndësishme ndaj Belgjikës, duke e kthyer çështjen në një garë kundër kohës dhe burokracisë.