Lojtari portugez tregon se si shpërtheu Ibrahimoviqi pas një ndeshje me LA Galaxyn

Mesfushori portugezi Joao Pedro ka rrëfyer se si ylli Zlatan Ibrahimoviq i kishte kërcënuar të gjithë bashkëlojtarët pas një ndeshje me LA Galaxyn.

Ibrahimoviq ishte zemëruar që klubi kishte pësuar 3:2 nga Houston Dynamos në çastet e fundit.

“Ne kishim një ndeshje si mysafir kundër Houston Dynamos. Ishim 1:0 në epërsi, por ata u rikthyen, barazuan 2:2, para se të shënonin golin e fitores për 3:2 në minutat e fundit. Pas përfundimit të ndeshjes Zlatani na mbajti një fjalim. Ai na tha: ‘Shikoni, nëse vini këtu për të shkuar në plazh, për të ecur rreth Hollywoodit, vetëm tregoni, por tregoni qysh tash. Unë kam 300 milionë në llogarinë time bankare, një ishull, nuk më duhet e gjithë kjo. Personi i parë që të hap gojën do ta vras, vërtetë do ta vras’”, ka treguar mesfushori Joao Pedro fjalët e Ibrahimoviqit për gazetën “Record”.

Pedro në janar të këtij viti firmosi me klubin portugez CD Tondela, ndërkohë Ibrahimoviqi kaloi te Milani.