Lloga denoncon dhunë brutale policore ndaj dy të rinjve, kërkon shkarkime dhe kallëzime penale – kritikon VLEN-in!

Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka akuzuar policinë për ushtrim të dhunës brutale ndaj dy të rinjve, duke kërkuar reagim urgjent institucional dhe përgjegjësi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lloga ka deklaruar se pamjet e publikuara nga incidenti dëshmojnë, sipas tij, shkelje serioze të standardeve profesionale të policisë.

“A po kthehet në rrugët tona policia famëkeqe e kohës së MVRO-VMRO-së?”, ka pyetur Lloga, duke kritikuar ashpër veprimet e pjesëtarëve të policisë.

Sipas ish-ministrit, ky rast përbën një provë serioze për institucionet dhe gatishmërinë e tyre për të reaguar ndaj përdorimit eventual të tepruar të forcës.

Ai ka kërkuar shkarkime dhe kallëzime penale, nëse vërtetohet se policët kanë përdorur forcë në mënyrë të paligjshme.

Kritika Lloga ka drejtuar edhe ndaj përfaqësuesve të koalicionit VLEN në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke i akuzuar për mungesë kredibiliteti dhe profesionalizmi.

Në reagimin e tij nuk jepen hollësi të tjera për rrethanat e incidentit, ndërsa nuk është paraqitur as ndonjë qëndrim zyrtar i MPB-së lidhur me akuzat.