Lirohen katër qytetarët e Kosovës të arrestuar në Merdare

Katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare janë liruar, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë Prokuroria e Kurshumlisë.

Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për katër shtetas kosovarë të cilët janë mbajtur në burg nga 13 qershori, teksa thanë se ata nuk janë përgjegjës për policët e Kosovës.

Labinot Maliqi, vëllai i njërit nga të arrestuarit konfirmoi për REL se vëllau i tij, dhëndri dhe dy të tjerë janë liruar.

Më 14 qershor, Prokuroria Themelore Publike e Kurshumlisë – qytet në pjesën qendrore të Serbisë – konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se më 13 qershor, Drejtoria e Policisë në Prokuple, Stacioni policor në Kurshumli, ka caktuar masën e ndalimit deri në 48 orë ndaj personave: K.M, H.F, M.E, dhe M.D. – të gjithë nga Podujeva.

Bilana Millosavleviq, ushtruese e funksionit të prokurores publike në Kurshumli, kishte thënë se “ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale: shkatërrim dhe dëmtim i pasurisë së njerëzve të tjerë, në dëm të Republikës së Serbisë” – pa ofruar më shumë detaje./REL