Lirikat e dashurisë i këndojnë ndjenjës më të çiltër njerëzore

“Sadije Aliti nëpërmjet botimin e saj më të fundit “Dashuri magjike” në ciklin e lirikave të dashurisë “Ditari i dashurisë”, i këndon ndjenjës më të pastër e më të çiltër vajzërore, dashurisë së fshehur, por që ashtu si lulebora që hap petalet në pranverë ashtu dhe dashuria shpërthen shkëndijat dhe tiktaket e zemrës
Shaban Sinani
Poezia dhe poetët frymojnë edhe në kohëe kushte pandemie. Promovim i opusit letrar të poeteve Sadije Aliti dhe Behare Neziri dhe portreti letrar i shkrimtarit Rami Kamberit u prezantuan në Shkup para miqve e dashamirëve të artit e të krijimit letrar. Ky aktivitet u realizua si bashkëpunimi i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum Tetovë dhe Qendrës për kulturë në “KoçoRacin” në Shkup. Për krijimtarinë poetike e letrare të poetes Sadije Aliti vlerësime paraqitën gazetarja dhe krijuesja Valbona Zunçe-Pjaziti dhe profesori universitar Dr.SherifSelimi. “Sadije Aliti nëpërmjet botimin e saj më të fundit “Dashuri magjike” në ciklin e lirikave të dashurisë “Ditari i dashurisë”, i këndon ndjenjës më të pastër e më të çiltër vajzërore, dashurisë së fshehur, por që ashtu si lulebora që hap petalet në pranverë ashtu dhe dashuria shpërthen shkëndijat dhe tiktaket e zmrës. Dashuria është ai kopshti i madh ku stinët vijnë me bukuritë e veta të ylberta, herë me gjelbërim, herë me shirat e rrëmbyshëm, herë me fortunë e qiell të vrenjtur, por që përsëi në fund u qeshin rrezet e diellit, rrezet e shpresës duke na kalitur në valët e saj.”- theksoi Valbona Zunçe-Pjaziti. Kritiku Dr.Sherif Selimi u shpreh se: ”Realiteti imagjinar projektohet përmes familjarizimit të fjalëve të cilat kalojnë në figurë. Lidhja e dy elementeve që për nga kuptimi janë të kundërta, e në procesin krijues shkrihen, shënojnë figurën oksimoron. ,,Terri dhe drita janë një me ty’’. Shumësi ,,janë një me ty’’shënon oksimoronin. Praktika figurative tregon që aty ku oksimoroni është i shprehur, antiteza nuk ekziston. Dhe ja një epërsi estetike e poetes, e cila arrin të gdhend figurën sipas kërkesave të poetikës. Në poezitë e Sadije Alitit, oksimoroni shënon lidhjen apo shkrirjen e emocionit me figurën, një veçori tjetër produktive e poezive në fjalë.” Krijimtarinë letrare të poetes Behare Neziri në një vlerësim përmbajtjesor e studimor e prezantoi Pr.Dr.Ejup Ajdini.“Poezia e Behare Nezirit vjen si një ndjenjë e veçantë e forcës jetësore, e cila na duket se shpërthen nga vullkani i dashurisë së sinqertë, e cila përjetohet skajshmërisht në thellësinë e qenies së saj shpirtërore, si ndjenjë e që dhuron të pamundurën e pastaj ka lëkundje të tërmetesh në intimen e saj të dashurisë, të cilat gërshetohen natyrshëm me idealet romantike, si një forcë që e mban të gjallë e të pathyeshme këtë iluzion dhe lirizëm shpirtëror”-u shpreh Ajdini. Ai më tej theksoi se:”Kjo lirikë dashurie e Behare Nezirit kërkon edhe një analizë psikologjike të ndjenjës erotike, pasi aty ndjehet edhe përshkrimi i adhurimit të ndrojtur e me pasion prej zjarri: “Seç m’u lidhën për qerpikët durimet”, pasi kjo dashuri është më tepër se pasion, pasi e ka peng mallin e pashuar.” Fjalë përshëndetëse mbajti kryetarja e Shoqatës së shkrimtarëve Oeneum Behare Neziri e cila theksoi se me këtë qendër kulturore është një traditë më e gjatë e bashkëpunimit në aktivitetet kulturore. Drejtori i Qendrës për kulturë, Safet Kamberi theksoi së është i kënaqur me bashkëpunimin e poetëve dhe shoqatës nga Tetova pasi janë realizuar disa promovime dhe Manifestime letrare si ai vitit të kaluar, Festat e nëntorit, ku u mbajt një orë poetike me poetë nga trojet shqiptare dhe diaspora. Behixhudin Shehapi, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, në fjalën përshëndetëse theksoi se magjia e vargjeve sërish reflekton në shpirtrat tanë të ngushtuar mjaft nga paraqitja e epidemisë së koronavirusit, Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë dhe të inkurajojë këto evenimente. Rrezeartë Samiu, lexoi një biografi pët Portretin letrar të shkrimtarit e kritikut Rami Kamberi. Ai njihet si: redaktor, recensent dhe lektor i shumë librave të botuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut e më gjerë, si Kosovë dhe Shqipëri. Studimet deridiplomike dhe pasdiplomike i ndoqi në Prishtinë, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Pjesëmarrës nëpër shumë debate letrare, takime poetike si dhe nëpër konferenca shkencore dhe seminare, organizuar nga Universitetet e trojeve shqiptare e më gjerë.