Lindjet “e panjohura” nga rritja e pazakontë tek zhdukja e të dhënave

Shkruan: Ridvan Ismaili

Gjatë analizës së statistikave vitale për vitin 2024, të publikuara gjatë muajit qershor të vitit 2025, patëm evidentuar një fenomen të pazakontë në të dhënat për lindjet sipas përkatësisë etnike të nënës. Për herë të parë, kategoria “E panjohur” (nepoznato) patë pësuar një rritje drastike, duke kaluar nga një numër një ose dyshifror në vitet paraprake në numër katërshifror apo në 1.815 raste gjatë vitit 2024.

Pasqyra e këtij ndryshimi ishte si vijon:

Viti Grafa (“e panjohur”)
👇 👇
2019 – 6

2020 – 19

2021 – 24

2022 – 30

2023 – 37

2024 – 1.815 foshnja të sapolindura

Një ndryshim i tillë nuk mund të konsiderohej thjesht një luhatje statistikore. Ai kërkon shpjegim të plotë nga institucionet përgjegjëse, pasi ndikon drejtpërdrejt në analizat demografike dhe në interpretimin e strukturës së popullsisë.

Në vend që ky fenomen të sqarohej dhe të korrigjohej, në vitin 2026 ndodhi diçka edhe më shqetësuese. Në botimin “MAQEDONIA NË SHIFRA 2025” e cila u botua para disa dite, kapitulli që paraqiste lindjet sipas përkatësisë etnike është hequr plotësisht. Kështu, një tregues statistikor që deri dje publikohej rregullisht nuk është më i disponueshëm për publikun.

Ky ndryshim ngre pyetje legjitime:

Pse është hequr ky kapitull? Cilat janë arsyet për këtë vendim? Si do të analizohen në të ardhmen lëvizjet demografike sipas përkatësisë etnike në mungesë të këtyre të dhënave?

Statistikat zyrtare duhet të jenë transparente, të plota dhe të krahasueshme ndër vite. Kur një kategori rritet në mënyrë të pazakontë dhe më pas të dhënat hiqen nga publikimet zyrtare, krijohet mungesë besimi dhe lind nevoja për sqarime publike.

Prandaj, është e domosdoshme që institucionet kompetente të japin një shpjegim zyrtar për këtë ndryshim dhe të sigurojnë publikimin e plotë të të dhënave statistikore, në mënyrë që studiuesit, institucionet dhe qytetarët të kenë qasje në informacion të besueshëm dhe të verifikueshëm.