Ligjin për shtetësi e ka kapluar pluhuri i Kuvendit

Koment: Albion Memeti, gazeta LAJM

Propozim/ligjin për shtetësi të propozuar nga opozita shqiptare (ASH-AAA) duket se e ka kapur pluhuri në sirtaret e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ky pr/ligj që ngjalli shumë shpresa te mijëra shqiptarë pa shtetësi assesi të gjej rrugën e miratimit.

Në marrëveshjen e arritur muaj më parë mes opozitës dhe maxhorancës, shumë qytetetarë shikuan mundësi për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare me mungesën e shtetësisë. Por, edhe disa muaj pas kësaj marrëveshjeje, nuk ka ndryshuar asgjë. Problemet e qytetarëve pa dokumente kanë ngelur të njejta.

Ndonëse të lindur e rritur në këtë shtet, ata janë inekzistentë për institucionet e shtetit të cilit i paguajnë edhe taksa.

Zgjidhjen e këtij problemi e pengojnë dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe “E majta”.

Herë njëra e herë tjetra përdorin zbraztirat në Rregulloren e Kuvendit për të mos lejuar zgjidhjen e këtij problemi me të cilin përballen shumë shqiptarë, por edhe qytetarë të etnive tjera.

Nga ana tjetër, partitë në pushtet LSDM-BDI ndonëse mbështesin deklarativisht ligjin për shtetësi, duket se druajnë nga efekti pozitiv që do të ketë për opozitën shqiptare miratimi eventual i tij, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Triumfalizmi që shfaqi opozita shqiptare pas marrëveshjes së arritur me pushtetin, përveç BDI-së nuk i ka pëlqyer as LSDM-së, e cila ka frikë se opozita maqedonase mund ta përdorë miratimin e ligjit për shtetësi për të bërë fushatë nacionaliste.

Në këtë mënyrë, bëhet shumë e vështirë që Ligji për shtetësi të merr dritë jeshile nga deputetët para zgjedhjeve lokale.

Koalicioni opozitar ASH-AAA po del i pafuqishëm për ta çuar vetëm deri në fund zgjidhjen e kësaj problematike.

Kërcënimet e opozitës shqiptare se sërish do ta bllokojë Kuvendin, maxhoranca i ka zbutur me premtimin për procedimin e sërishëm të pr/ligjit për shtetësi duke i vënë “yllin evropian”, për të shkurtuar rrugën e miratimit dhe për të shmangur bllokadat e opozitës maqedonase.

E derisa të vazhdojnë lojërat e partive, mijëra qytetarë do ta vazhdojnë të përballen me realizimin e të drejtave elementare në shtetin ku kanë lindur, i cili refuzon t’i pajisë me nënshtetësi.