“Ligji për Shtetësi, Sela falënderon mediat për kontributin

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, përmes një letre ka falënderuar mediuave, për siç shkruan, kontributin e dhënë në rritjen e presionit publik për miratimin e Ligjit për Shtetësi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
“Në emrin tim personal dhe në emër të Aleancës për Shqiptarët, dua t’ju falënderoj përzemërsisht, bashkë me gjithë stafin tuaj, për kontributin dhe punën e palodhshme që ndikuan në rritjen e presionit publik për miratimin e Ligjit për Shtetësi nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Përmes informimit, raportimeve në forma të ndryshme dhe aktualizimit të vazhdueshëm të kësaj teme në mediumin tuaj, keni dhënë një ndihmesë të pazëvendësueshme në sensibilizimin e opinionit dhe të vetë politikës rreth domosdosë së zgjidhjes së këtij problemi të trashëguar për tre dekada me radhë. Padyshim, jeni në mesin e më meritorëve që mijëra qytetarë do të jenë të gjendje të realizojnë një të drejtë themelore njerëzore, me implikime të gjera në çdo sferë të jetës sociale. Ne sinqerisht besojmë se mediat janë pushteti i katërt në një shoqëri demokratike dhe angazhohemi për fuqizimin e tyre të mëtejmë në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Andaj i mirëpresim edhe kritikat dhe vërejtjet si një vlerë e shtuar që ndihmon në demokratizimin e vendit. Edhe njëherë, faleminderit përzemërsisht për kontributin tuaj të vazhdueshëm”, thuhet në letrën e Selës drejtuar mediave.