Ligji i Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë – një epokë e re barazie (I)

Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Si një nga autorët e ligjit të hartuar, kam kaluar muaj duke “lundruar” në kërkesat e ndërlikuara të së drejtës kushtetuese, përfaqësimit adekuat dhe të drejtë dhe efikasitetit administrativ brenda grupit të punës për hartimin e këtij ligji. Të shikosh propozimin e përfunduar është të shikosh një strukturë të projektuar për të qëndruar për breza – një ligj që transformon frymën e Marrëveshjes së Ohrit në një kuadër formal ligjor të fuqishëm dhe të zbatueshëm.

Për çerek shekulli, fryma e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë një premtim për një shtet multietnik ku diversiteti jo vetëm që tolerohet, por përqafohet me kushtetutë. Prandaj, ky nuk është vetëm një ligj; është vula përfundimtare dhe operative e Pikës 4.2 të Marrëveshjes së Ohrit dhe Amendamentit VI të Kushtetutës sonë. Ky tekst legjislativ është hartuar me kujdes për t’i dhënë fund paqartësive të së kaluarës, duke siguruar që administrata publike më në fund të pasqyrojë diversitetin e bukur të shoqërisë sonë. Në Pikën 4.2. të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit thuhet: “Ligjet që rregullojnë punësimin në administratën publike do të përfshijnë masa për të siguruar përfaqësimin e drejtë të bashkësive në të gjitha organet publike qendrore dhe lokale dhe në të gjitha nivelet e punësimit brenda organeve të tilla, duke respektuar rregullat në lidhje me kompetencën dhe integritetin që qeverisin administratën publike”. Fraza: “duke respektuar rregullat në lidhje me kompetencën dhe integritetin që qeverisin administratën publike” vepron si një kualifikues për të gjithë procesin e punësimit duke siguruar ristruktuimin e administratës publike për të qenë më gjithëpërfshirëse (përfaqësimi i drejtë) mirëpo, duke ruajtur standardet e kompetencës dhe integritetit (meritokracisë). Pra, Pika 4.2. e Marrëveshjes së Ohrit nuk i përjashton kandidatët shqiptarë dhe të tjerë nga kompetenca dhe integriteti (meritokracia), e as nuk nënkupton se vetëm maqedonasit janë të aftë për të qenë kompetent (meritor), sepse përcakton një standard universal të meritokracisë për të gjithë punonjësit, ndërsa mandaton rekrutimin proaktiv për të përmirësuar përfaqësimin e bashkësive jo-shumicë.

Ligji balancon kërkesat e Marrëveshjes së Ohrit me standardet e administratës publike të BE-së ku ndryshimi më i rëndësishëm është theksimi i qartë i kompetencës dhe integritetit së bashku me përfaqësimin që paraqet një qëllim legjislativ për t’u larguar nga “punësimi me numra” drejt një modeli “të përfaqësimit të bazuar në meritë”.

Amendamenti VI kushtetues urdhëron parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të qytetarëve të cilët u takojnë të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet. Megjithatë, pa një ligj të dedikuar dhe gjithëpërfshirës, ​​ky parim mbetej aspirues. Si ekspertë, ne kemi kapërcyer hendekun midis urdhërit kushtetues dhe zbatimit praktik, duke siguruar që “përfaqësimi adekuat dhe i drejtë” të mos jetë vetëm një frazë kushtetuese, por një realitet ligjor në të gjitha organet shtetërore dhe institucionet publike në të gjitha nivelet.

Është një pikë krenarie e madhe për ekipin tonë të ekspertëve që ky projektligj është mirëpritur nga Komisioni i Venedikut për përputhshmërinë e tij me standardet ndërkombëtare. Ky Komision me 61 shtetet e tij anëtare njohu që qasja jonë përfaqëson një evolucion të pjekur, duke lëvizur përtej mekanizmave të mëparshëm, ndonjëherë të ngurtë, drejt një modeli të nuancuar që harmonizon përfaqësimin adekuat me punësimin e bazuar në meritë. Kjo njohje vërteton përpjekjet tona për të krijuar një ligj që nuk është vetëm thelbësor në nivel vendas, por edhe i respektuar ndërkombëtarisht sepse garanton që administrata jonë publike jo vetëm që do të jetë më përfaqësuese, por edhe profesionale, kompetente dhe në përputhje me normat demokratike ndërkombëtare dhe evropiane. Prandaj, ne kemi arritur të balancojmë shkallët delikate të diversitetit etnik me kërkesat rigoroze të jurisprudencës ndërkombëtare.

Ligji rregullon respektimin, afirmimin, promovimin dhe monitorimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore dhe publike që nënkupton ngritjen e statusit të këtij parimi kushtetues sepse duke e përkufizuar me ligj përfaqësimin si një “vlerë themelore të rendit kushtetues”, ligji e zhvendos atë nga një udhëzues teknik punësimi në një shtyllë thelbësore kushtetuese. Ky ligj është rojtari i rendit kushtetues sepse nuk po ia lë më barazinë rastësisë ose “vullnetit të mirë” të politikanëve sepse paraqet një metrikë të detyrueshme të suksesit të shtetit.

Ligji përkufizon përfaqësimin adekuat që pasqyron përafërsisht popullsinë bazuar në regjistrimin e fundit si referencë që domethënë se, përdorimi i regjistrimit si “bazë referimi” ofron një kufi të fortë statistikor, duke synuar të zvogëlojë manipulimin e identitetit etnik që ndodhte në të kaluarën me “balancuesin” si vegël dixhitale. Pra, ligji përdor të dhëna, jo hamendje, për të siguruar që çdo bashkësi ta sheh veten të pasqyruar në pasqyrën e shtetit.

Ligji përkufizon përfaqësimin e drejtë që siguron trajtim dhe mundësi të drejta duke respektuar rregullat e kompetencës dhe integritetit me çrast ky përkufizim e lidh në mënyrë të qartë përfaqësimin etnik me sistemin e meritës, duke mos sakrifikuar cilësinë për sasinë, por duke vërtetuar se kompetenca ekziston në çdo bashkësi.

Duke bërë përkufizimin e saktë ligjor të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, ligji eliminon paqartësitë burokratike gjatë zbatimit të tij në praktikë. Ky përkufizim është thelbësor: ai lidh në mënyrë të qartë përfaqësimin me meritën, duke shkatërruar mitin e vjetër se diversiteti dhe kompetenca janë në konflikt duke u garantuar mundësinë për të shërbyer kandidatëve më të mirë nga bashkësitë e nën-përfaqësuara gjë që e forcon sektorin publik.

Ligji ka për qëllim përfshirjen dhe kohezionin social nëpërmjet mekanizmave institucional dhe procedural që domethënë se, fokusi te këto mekanizma tregon se ligji do të mbështetet në kontrollin administrativ duke i dhënë përparësi qëndrueshmërisë së tij strukturore.

Ligji do të zbatohet në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike të të gjitha niveleve që domethënë se, përcakton një juridiksion të gjerë meqë nuk lë “zona gri”, duke siguruar që të njëjtat standarde ligjore të zbatohen në të gjitha nivelet e pushtetit qendror dhe lokal.

Ligji është vaksina kundër viruseve të përçarjes dhe pakënaqësisë me çrast diversiteti do të jetë motori më i madh i progresit dhe jo një burim fërkimi sepse ligji nuk e koncepton Maqedoninë si një shtet “shumicash” dhe “pakicash” por si Republikë qytetarësh, të përfaqësuar me dinjitet, të qeverisur me barazi në të gjitha nivelet dhe të lidhur nga një angazhim i përbashkët për një shërbim publik që i shërben të gjithëve.

Në shkrimet e ardhshme do të shtjellohen edhe dispozitat e tjera të ligjit.

Për nënshkruesit shqiptarë të Marrëveshjes së Ohrit: z. Arbën Xhaferi dhe z. Imer Imeri. Nënshkrimet tuaja në vitin 2001 bënë më shumë sesa t’i jepnin fund një konflikti – ato hodhën themelet për barazi. Ligji i sotëm i përfaqësimit adekuat dhe të drejtë qëndron si një trashëgimi e gjallë e angazhimit tuaj për një shtet gjithëpërfshirës. Ky ligj është një homazh për besimin dhe vizionin tuaj se drejtësia shërbehet më së miri nëpërmjet sundimit të së drejtës dhe drejtësisë sistematike.

Mirënjohje për vizionin e tyre!

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)