Librat “SHKUPI” bashkojnë të gjithë shqiptarët, si dikur…

Shkruan: Fitim Nuhiu

26.11.2022

Në Tiranë, ditëve të panairit të librit, në sallën ovale, u mbajt promovimi i dy librave për Shkupin: libri “Shkupi” nga publicisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti (ribotim) dhe libri tjetër, botimi i parë “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve, 1858-1944”, nga autori preshevar, publicisti Skender Latifi.

Promovimin e organizoi shtëpia botuese “Logos-a” nga Shkupi, ku dhe ishte botuese e këtyre dy librave. Përkujdesës për organizimin e këtij eventi ishte prof. dr. Nuridin Ahmeti, ku na bëri përshtypje jashtëzakonisht kur filloi me fjalitë (po e perifrazojmë):

“Autori është preshevar, ai flet për Shkupin, po mbahet në Tiranë dhe po kryeson njëri nga Kosova, dmth. të gjitha trevat shqiptare po i përbashkon Shkupi, kryeqendra e shqiptarisë…”
Panelistë ishin autorët e librit dhe studiues Agim Baçi, ku diskutoi për tematikën që kanë librat në fjalë. Më pas vazhdoi diskutimi interaktiv me auditorin, ku të pranishëm ishin disa studiues dhe të interesuar për librat në fjalë. Pati edhe një delegacion nga Presheva, gjegjësisht nga stafi i bibliotekës së qytetit të Preshevës në krye me znj. Mimoza Saqipi dhe bashkëpunëtorët e saj. Diskutimi ishte i lirë dhe i hapur ku patën rastin të pyesin (orientalistë, teolog) autorët dhe të diskutojnë për atë se sa sot ndjehen shqiptarë, psh. shqiptarët e Shkupit, kur kemi dy shtete tona, dhe një gjysëm shtet në Maqedoninë e Veriut, dhe pse inferioriteti i shqiptarit akoma gjallon mes nesh, etj. Pati edhe propozime si ai i pedagogut Shkëlzen Limanit nga Presheva, se përse këto dy libra të mos bëhen në një vëllim, jo që t’i kundërpërgjigjen enciklopedisë maqedonase, por si vepra kapitale për shqiptarët e Shkupit, dhe moderatori Muhamed Jashari (përfaqësuesi is h.b. Logos-a) e mirëpriti këtë propozim, që do ta mendojnë dhe vlerësojnë në të ardhmen.

Me që libri “Shkupi” i Kim Mehmetit është ribotuar dhe se lexuesi e ka pasur rastin ta lexoj më herët, do të doja ta “anashkaloja”, e të merresha me librin e dytë, pra botimin e ri të “Shkupit” nga autori Skender Latifit.
Lexuesi i librit “Shkupi në kohë të paqes dhe tmerreve” e ka rastin të ballafaqohet me njëzet pamjet (artikujt) e Shkupit në periudha të paqes, por edhe në kohë të tmerreve, siç edhe në kopertinë nënkuptohet kjo gjë, duke ia bashkangjitur edhe vitet 1858-1944 dhe ky libër është pjesë e studimit që autori ia ka bërë disa udhëpërshkrimeve që siguroi nga arkivat e ndryshme në Serbi, Bullgari, etj, të konsujve, diplomatëve, poetëve, historianëve e studiuesve (psh. Maurice Baring, Trocki, Yves Jouin, Zheni Lebll, Fran Tucan, etj) që shkruan në periudhat që kanë prekur këtë terren me dorën e vet dhe dëshmuan realitetin ashtu siç ata e panë.

Sidoqoftë, Shkupi shqiptar i mbijetoi këtyre katrahurave që përjetoi, nga krimet serbe dhe bullgare kundrejt shqiptarëve, edhe përkundër asaj se shqiptarët shkupjanë nuk ishin fanatik që të këmbëngulnin se ky qytet u përkiste atyre, sepse kishte dhe ka argumente të pakontestueshme dhe historike se themelet e këtij qyteti në lashtësi i kanë ngritur stërgjyshërit e tyre.

Ky libër nuk doli si kundër-përgjigje e tendencave të qarqeve nacionaliste serbe, bullgare e maqedonase, por synimi i këtij libri vërehet nga referencat e besueshme dhe serioze që dëshiron të qartësojë emrin e Shkupit të lashtë, veçanërisht nga autori Jean Le Bel.
Si përfundim, mund të themi se ky libër mund të shërbejë si një referencë e besueshme dhe serioze për “dizajnuesit” e ardhshëm të “Shkupit” dhe t’i bëhet e ditur që ky qytet nuk vritet, nuk deformohet, nuk shpërfytyrohet, pavarësisht krimeve dhe elaborateve sistematike që i janë bërë dhe i bëhen edhe sot e kësaj dite këtij qyteti, veçanërisht kundrejt shqiptarëve dhe pjesës ku ata banojnë, në fund të fundit është e vërteta që del sheshit dhe ngre kryet të na thotë: koha do të më gjykojë, nëse nuk dal në shesh!