“Libia ka të drejtë të arrijë marrëveshje me cilindo vend”

Kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), Fayez al-Sarraj, u takua me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, për të diskutuar situatën në Libi.

Sarraj pas takimit tha për AA se si qeveri e njohur nga OKB dhe si një qeveri e ligjshme, ata kanë të drejtë të arrijnë memorandum mirëkuptimi me çdo vend.

Sarraj, i cili përveç Sassolit u takua edhe me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, dhe ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Mass, tha se kanë zhvilluar bisedime të frytshme.

“Ne sqaruam se nuk kemi sjellë mercenarë nga Rusia ose Sudani, nuk kemi kërkuar nga vendet e rajonit ose vendet e tjera që avionët të bombardojnë civilë, ashtu siç ka bërë pala tjetër”, tha Sarraj.

“Ne e bëmë memorandumin haptas dhe këmbëngulim të mbrohemi”, tha ai, duke iu referuar paktit detar të arritur me Turqinë dhe atë për bashkëpunim ushtarak.

“Haftar nuk do të hyjë në Tripoli”, shtoi ai, duke folur per gjeneralin rebel Khalifa Haftar me bazë në lindje të Libisë, i cili po kryen sulme për kapjen e kryeqytetit Tripoli nga GNA.

“Pala tjetër (Haftar) nuk beson në zgjidhjen politike, ata duan një zgjidhje ushtarake të krizës aktuale”, tha Sarraj.

Ai theksoi se nuk dëshiron që Libia të jetë një vend për tensione dhe luftëra të deleguara.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë përgjegjësi për t’i dhënë fund kësaj vuajtjeje dhe të ndalojë sulmet ndaj Tripolit dhe kundër qeverisë legjitime”, deklaroi Sarraj.

“Ekziston një agresor i quajtur Khalifa Haftar i cili kryen sulme kundër Tripolit dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht”, shtoi ai.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Khalifa Haftar, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka GNA nisi një kundër-operacion.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si “Lufta Vendimtare”, ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.