Lewandowski drejt transferimit në Arabi, Barcelona e gjen zëvendësuesin e polakut

Robert Lewandowski mund ta ndjek rrugën e shumë yjeve të mëdha botërore për të vazhduar karrierën në Arabinë Saudite.

Sulmuesi polak po kalon vitin e tij të dytë në Camp Nou, por nuk do t’i thoshte jo një transferimi në Superligën e Arabisë Saudite, ku do të mund të fitonte qindra miliona euro në tre apo katër vitet e fundit.

Interesimi nga skuadrat arabe nuk mungon për sulmuesin polak, derisa Barcelona po pret një ofertë të lartë për ta lënë të lirë.

35-vjeçari ka kontratë me katalunasit deri në verën e vitit 2026, derisa një ofertë prej rreth 50 milionë eurove do të bënte Barcelonën të hiqte dorë nga ai.

Sport ka raportuar se tanimë Barcelona ka gjetur zëvendësuesin e polakut dhe atë në elitën e futbollit holandez Eredivisie.

Sulmuesi meksikan Santiago Gimenez po shkëlqen me Feyenoordin duke shënuar 15 gola në 12 ndeshje dhe ai është në listën e dëshirave të Barcelonës për ta zëvendësuar Lewandowskin.

Gjithsesi nuk do të jetë aspak i lehtë transferimi i meksikanit, pasi Feyenoord e vlerëson atë 100 milionë euro.