Lëvizja NDRYSHE me nismë për shpalljen e Kodit Zgjedhor si të kundërligjshëm

Sot, më.13.02.2020, Lëvizja NDRYSHE ka dorëzuar pranë Gjykatës Kushtetuese nismën për shpalljen e Kodit Zgjedhor si të kundërligjshëm nisur nga fakti se janë tejkaluar (dhe reduktuar) kufijtë e njësive zgjedhore të caktuara me Kodin Zgjedhor – Neni 4, alinea 7 ku në mënyrë të tërthortë përmendet kufiri (plus – minus 5%). Dokument për dëshmi të tejkalimit të kufijve të paracaktuar me Ligj, kemi dorëzuar dokumentin e KSHZ-së të dërguar deri tek Ministria e Drejtësisë më 03.02.2020 ku paraqiten edhe përqindjet e tejkalimit/reduktimit të njësive zgjedhore. P.sh:

– Njësia zgjedhore 2 ka tejkaluar kufirin e saj me 5.74%
– Njësia zgjedhore 6 ka tejkaluar kufirin e saj me 8.60%
– Njësia zgjedhore 3 është reduktuar për 7.64%
– Njësia zgjedhore 4 është reduktuar për 6.36%

Pra, dallimi mes njësisë zgjedhore me numër 6 është 49.234 vota më shumë se njësia zgjedhore numër 2 por që të dy njësitë japin nga 20 deputetë.

Partitë politike në vend kishin në dispozicion kohën e mjaftueshme për të bërë pëmirësimin/rregullimin e kufirit të njësive zgjedhore, kërkesë kjo e ardhur edhe nga OSBE/ODIHR në formë rekomandimi por ja që nuk arritën të merren me këtë çështje kruciale.