Lëvizja BESA: Edhe një fakt që tregon korrupsionin e lartë të funksionarëve të BDI-së

Lëvizja BESA vazhdimisht ka theksuar se krimi dhe korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, ka prekur të gjitha institucionet e shtetit dhe kjo me lejen e partisë në pushtet BDI-së, njerëzit e të cilës kanë bërë miliona euro, duke vjedhur paratë e taksapaguesve tanë. Rasti që konfirmon shkallën e lartë të krimit është skema piramidale e familjarëve të Ali Ahmetit, ku figuron edhe kompania e Pucko Petrol.

“Dita ditës skandalet po dalin në shesh, dhe rasti i fundit ka të bëjë me “Pucko Petrol” që përmes skemës kriminale ka përvetësuar mbi 4 milion euro, pronar i të cilës është Ismail Jaoski, deputet i BDI-së dhe njëri nga biznesmenët më të përkëdhelur, përkrahur dhe të mbrojtur nga LSDM-BDI. Skandali është konfirmuar nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ku thuhet: “Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sqaroi se nga ajo skemë më së shumti ka përfituar kompania “Pucko Petrol” dhe pajisjet-pasuria e paluhatshme me shumë gjasa janë shfrytëzuar për përfitime për kompanitë që kanë lidhje me familjen e të dënuarit në rastin “Trust”, Sead Koçan. Janë plot 4 milion euro të qytetarëve tanë që kanë përfunduar në arkën e Pucko Petrol respektivisht në atë të BDI-së.”, theksojnë nga Lëvizja Besa

Lëvizja BESA vlerëson se kjo qeveri e korruptuar nuk po lufton për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por po lufton për arkëtimin e parave të taksapaguesve shqiptar dhe t’i integrojë në arkën e “Pucko Petrol” pastaj të Drin Ahmetit dhe të afërmeve tjerë të liderit të kauzës milionëshe Ahmetit. Andaj, ftojmë dhe inkurajojmë institucionet përkatëse si MPB-në, Policinë Financiare, Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorinë përkatëse që të marrin të gjitha hapat e nevojshëm dhe të zbardhin krimin dhe korrupsioni. Këtë ata mund ta bëjnë vetëm me mbështetje të ndërkombëtarëve të cilët tashmë hapur kanë deklaruar se institucionet të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin janë të korruptuara përfshi edhe njerëzit e politikës.

Sipas tyre, pavarësisht kësaj Lëvizja BESA, në të ardhmen do të rihap të gjitha aferat dhe skandalet korruptive ndërsa kriminelët do të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ne konsiderojmë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një gjyqësor dhe një qeveri veprimet e së cilës do të jenë transparente dhe do të ju shërbejnë qytetarëve, sepse vetëm një sistem i mirëfilltë gjyqësor mundet që të konsiderohet gur themel i një demokracie të drejtë dhe funksionale. Që të mundet të kemi një gjyqësor të pavarur, efikas dhe transparent vlerësojmë se vendit i nevojitet një qeveri e re e pa korruptuar, me njerëz të aftë dhe me integritet moral dhe profesional, njerëz që nuk janë të kapur dhe me vizion për të drejtuar shtetin, theksojnë nga Lëvizja Besa.