Lëvizja Anti Bixhoz: Zaev nuk mbajti premtimin

Lëvizja Anti Bixhoz përmes një konference për shtyp ka theksuar se edhe përskaj betejës që ka bërë për mbylljen e kazinos afër Universitetit të Tetovës dhe shkollës së Mjekësisë, megjithatë në vend ka vazhduar edhe më tej hapja e kazinove. “Kumari tek ne nuk është problem lokal, as problem komunal, as problem sezonal, më së paku problem që do të shtjellohet vetëm para zgjedhjeve, por është kancer i kamotshëm që ia tejkalon çdo kriminaliteti shoqëror.

Derisa ne si lëvizje bashkë me qytetarët e ndaluam hapjen e kazinos tek Universiteti i Tetovës, nga ana tjetër u hapen edhe shumë objekte tjera që e rënduan edhe më tej situatën e na nënçmuan edhe me shumë si lëvizje dhe shoqëri në përgjithësi”, tha Jushi Emërllau nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Nga Lëvizja Anti Bixhoz po ashtu kanë shprehur revoltën edhe ndaj kryeministrit Zaev që nuk ka mbajtur premtimin për moslejimin e hapjes së objekteve të lojërave të fatit.

“E përkujtojmë kryeministrin se në takimin që e patëm, premtoi se do të veprojë konform shteteve të rajonit dhe nuk do të lejojë hapjen e objekteve tjera, mirëpo ndodhi e kundërta, ata u shumëfishuan, e si duket e keqkuptoi hyrjen e Maqedonisë së Veriut në gjirin e shteteve evropiane duke menduar se numri i madh i objekteve të kumarit do të na mundësojë të bëhemi anëtare të saj”, deklaroi në konferencën për shtyp, Jushi Emërllau nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Krahas kësaj, nga kjo lëvizje theksuan se nëse nuk sillet ligji për lojërat e fatit, do të bëjnë thirrje për padëgjueshmëri qytetare. Sipas tyre, liderët duhet që sa më parë të harmonizojnë qëndrimet e tyre e të sjellin ligj, i cili do të mbrojë qytetarin.

“Ne si Lëvizje Anti Bixhoz i bëjmë thirrje Kryeministrit, Ministrit te Financave, liderëve të subjekteve politike të qëndrojnë në fjalën e dhënë, përndryshe do të vazhdojmë t`i detektojmë si fajtorë kryesore për situatën e krijuar dhe të mos bëhen pre e shantazheve të organizatorëve të atyre lojërave dhe sa më parë të harmonizojnë qëndrimet e tyre e të sjellin ligj, i cili do të mbrojë qytetarin përndryshe do të bëjmë thirrje për padëgjueshmëri qytetare pasi llogarisim se Qeveria nuk ka nevojë për pagesat e qytetareve pasi financohet nga kumari” theksoi Jushi Emërllau nga Lëvizja Anti Bixhoz.

Nga kjo lëvizje kandidatëve për kryetar komune u kanë apeluar që të jenë të kujdesshëm në premtimet e tyre.