Letra që “dridhi” Serbinë, analisti tregon se kush është më meritori – ja çfarë thotë për Kurtin e Haradinajn

Letra e presidentit amerikan, Joe Biden, dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me të cilën i kërkohet njohja reciproke Serbi-Kosovë, u prit mjaftë mirë në vendin tonë.

Letrën e Biden me kërkesë njohjen reciproke Kosovë-Serbi, njohësit e zhvillimeve politike në vend e quajnë si një urim i cili nxjerrë në sipërfaqe kërkesën eksplicite të Shtëpisë së Bardhë dhe të administratës së re amerikane për njohjen reciproke Kosovë-Serbi, si kusht qenësor për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Analisti Fatmir Bajraj shprehet se kjo letër e cila presupozon saktë njohjen e Kosovës nga Serbia, ka “trazuar” pushtetin në Serbi dhe presidentin Vuçiq.

“Vala koherente e qëndrimit të administratës amerikane dhe Presidentit Biden në lidhje me marrëveshjen e Uashingtonit të 04 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, ka dëshpëruar Vuqiqin dhe Kurtin, bilës këtë të fundit e ka zhveshur nga hipokrizia dhe demagogjia. Urimi me thumb për ditën e shtetësisë së Serbisë nga ana e Presidentit amerikan, Joe Biden, urim i cili nxjerrë në sipërfaqe kërkesën eksplicite të Shtëpisë së Bardhë dhe të administratës së re amerikane; njohjen reciproke Kosovë-Serbi, si kusht qenësor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. Shtyrja para e “sintagmës” për një marrëveshje e cila presupozon njohjen e Kosovës nga Serbia, sikur ka “trazuar” pushtetin në Serbi dhe presidentin Vuçiq, i cili përpiqet të “amortizoj” trysninë faktike të Administratës amerikane në lidhje me avancimin dhe njohjen e Kosovës si akt të kryer për Shtëpinë e Bardhë dhe Presidentin, Biden”, u shpreh Bajraj.

Ai është i mendimit se letra e Presidentit Biden, pason letrën e një viti më parë nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, me të njëjtën kërkesë dhe të njëjtin sens

Image

Fatmir Bajraj

Foto galeri

“Edhe kjo me të njëjtën kërkesë dhe të njëjtin sens, dhe pikërisht në ditën e shtetësisë së Serbisë, kërkesë e cila ua ngrinë gazin në buzë për festën shtetërore dhe shtetin i cili realisht dhe faktikisht nuk është ai i Kushtetutës së Serbisë, në preambulën e së cilës, shteti Kosovës, është pjesë integrale e saj, si “Kosovë e Metohi”. Pushteti në Serbi dhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tanimë është i vetëdijshëm se shtyrja në infinit e refuzimit të realitetit të krijuar në Republikën e Kosovës, pas 12 qershorit 1999, 17 shkurtit 2008 dhe opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, të datës 22 korrik 2010, është e pamundur, dhe shpresa e kërkim-shpëtimit në jo -koordinimin e SHBA-ve dhe BE-së karshi kësaj çështje, sa vjen e venitet. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mund të mbaj zotimin se nuk do ta njeh kurrë Republikën e Kosovës, por kjo mund të lexohet edhe në të drejtën e tij që të mos e bëjë këtë, por kjo nuk do të thotë se ai të mos detyrohet ta lëshoj pozitën e presidentit dhe të njëjtin akt, ta bëjë presidenti tjetër i Serbisë”, tha Bajraj, për “Bota sot”.

Madje, analisti Bajraj konsideron se kjo letër “gozhdoi” edhe Kurtin.

“Letra e Presidentit Biden, e cila pason me njohjen diplomatike të Kosovës nga ana e Izraelit, dhe në të cilën përsërit kërkesën eksplicite drejtuar Serbisë për njohje të shtetësisë së Kosovës, për Kurtin ishte një zhvillim aspak i dëshiruar së paku në kohë, ngase Kurti, jo vetëm që nuk kishte pranuar të shkoj në Shtëpinë Bardhë për një Marrëveshje e cila rezulton të jetë historike, por të njëjtën e kishte quajtur marrëveshje të thikave mbi hartë dhe në Shtëpinë e “Verdhë e Kuqe”, për çfarë demantin mori me 04 shtator 2020, dhe tani së fundmi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin dhe konsistencën e SHBA-ve, në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kryesisht në raport me Kosovën”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, ai thekson se kandidati i LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti, është më mëritori për shpëtimin e vendit dhe nxjerrjen e Kosovës nga geto-ja, në të cilën e kishin futur pararendësit; Haradinaj dhe Kurti.

“Deklaratat e papërgjegjshme të LVV-së dhe të ish ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufca në lidhje me selinë e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, janë të papërgjegjshme, tmerrësisht skandaloze dhe mbi të gjitha, të rrezikshme, për çfarë Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë kujdes dhe t’i japin përgjigjën e merituar kësaj fryme dhe qasje joserioze dhe të rrezikshme të LVV-së dhe lidershipit të saj. Kryeministri Hoti, meritor për shpëtimin e vendit dhe nxjerrjen e Kosovës nga geto-ja, në të cilën e kishin futur pararendësit; Haradinaj dhe Kurti. Hoti, mori drejtimin e Qeverisë së Kosovës në një kohë izolimi, pa perspektivë dhe me sanksione ekonomike dhe financiare, pa lënë anash kërcimin serioz amerikan për tërheqje të Forcave Ushtarake Amerikane nga Bondsteel-Kosovë. Kryeministri Hoti, zhbllokoi vendin nga izolimi ndërkombëtar, përfshirë edhe me Shqipërinë amë, liroi fondet e bllokuara financiare dhe ngriti në këmbë besimin dhe mbështetjen e partnerëve strategjik perëndimor në BE, dhe SHBA”, ka thënë krejt në fund analisti Bajraj.