Letër e ish ushtarit nga burgu i Shkupit: Prej sot futem në grevë urie! (Foto)

Ragmi Latifi, ish ushtar i UÇK-së nga fshati Hotël i Likovës, ka vendosur të fillojë grevë urie në burgun e Shutkës në Shkup . Shkak për fillimin e grevës së urisë është mbatja një kohë të gjatë në qeli vetmie dhe mungesa e përgjigjes nga institucionet për ankesat e bëra.
Për këtë arsye, me një letër letre dërguar deri te gazeta Lajm, Latifi njofton opinionin për fillimin e grevës së urisë. Ai është i dënuar me 18 vite burg për rastin “Lagja e Trimave” Kumanovë.

Të nderuar gazetarë të Gazetës Lajm dua që t’ju njoftojë me padrejtësinë që bëhen në Burgun e Shutkës. Unë Ragmi Latifi i dënuar me 18 vite burg për rastin e Kumanovës “Lagjja e Trimave” dua t’ju njoftojë se unë tanimë 13 ditë me radhë gjendem në “qelinë e vetmisë” në kushte shumë të vështirë. Kjo më bëhet vetëm e vetëm se jemi të dënuar për Rastin e Kumanovës “Lagjja e Trimave”. Për këtë rast e kam njoftuar edhe drejtorin e Burgut, edukatorin, Avokatin e Popullit, mirëpo askush deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë masë për këtë gjendje shumë të vështirë. Unë Ragmi Latifi nga fshati Hotël i Kumanovës, tash me datë 5.4.2021 kam hyrë në grevë urie, për shkak se e shoh se zgjidhje tjetër nuk ka. Apelojë që kush të ketë mundësi të më vizitojë në burg…, Avokati i Popullit, mediat etj., me qëllim që të bindeni e të shihni, se në cfarë kushte jemi duke vuajtur dënimin.