Lehtësimi i kufizimeve në Gjermani shfaq shenjat e para të përkeqësimit nga Covid-19

Shenjat e para të përkeqësimit nga epidemia e koronavirusit të ri po shfaqen në Gjermani, ndërkohë që ajo ka filluar të lehtësojë kufizimin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur e shqetësuar për një rikthim shumë të shpejtë në normalitet.

Shkalla e infeksionit apo shkalla e riprodhimit, shumë e mbikëqyrur nga autoritetet, ka arritur sërish pragun prej 1,0, sipas shifrave të publikuara nga Instituti Robert Koch, i ngarkuar për të mbikëqyrur pandeminë në vend.

Kjo nënkupton se çdo i sëmurë kontaminon një person tjetër. Qeveria gjermane dhe virologët kanë nënvizuar deri tani rëndësinë e një përqindjeje më të ulët të të infekturve.

Është hera e parë që prej mesit të muajit prill që ky nivel infektimesh arrin pragun prej 1,0. Ai ishte ulur në 0,7, para se të rritej gradualisht.

Për më tepër, shkalla e vdekshmërisë e rasteve me COVID-19 vazhdon të rritet dita ditës.

Ajo ka arritur në 3,8% sipas shifrave të fundit nga Instituti, që mbetet ende më e ulët se ajo e vendeve fqinje të Gjermanisë.

Gjermania numëron sot 156 337 raste me COVID-19 për 5 913 të vdekur.

Nëse kjo tendencë në rritje konfirmohet, kjo mund të komplikojë përpjekjet e autoriteteve për një rikthim gradual në normalitet, ndërkohë që padurimi i popullit rritet.

Qeveria federale dhe rajonet gjermane, të cilat kanë fjalën e fundit për shëndetin, do të diskutojnë për etapat e mëtejshme të lehtësimit të kufizimit të enjten, përpara vendimeve që priten më 6 maj.

Rritja duket se konfirmon frikën e Angela Merkel, e cila u shpreh në mbështetje të një linje qëndrueshmërie dhe ka shprehur shqetësim në disa raste për përpjekjen e opinionit dhe të shumë liderëve politikë për djegien e fazave.

“Edhe me një shkallë infeksioni në 1,1, ne mund të arrijmë kufijtë e sistemit tonë shëndetësor përsa i përket shtretërve në reanimacion deri në tetor”, paralajmëroi ajo kohët e fundit.

“Me një nivel prej 1,2, ne do të arrijmë kufijtë e sistemit tonë shëndetësor në korrik. Me një normë prej 1,3 do të arrijmë atje në qershor”, sipas kancelares. “tha Kancelari.

Gjermania ka filluar më 20 prill të lehtësojë gradualisht masat shrënguese kundër pandemisë me rihapjen e vetëm disa dyqaneve dhe kolegjeve e gjimnazeve.