Franca dhe Spanja përgatiten për lehtësimin gradual të kufizimeve

Franca dhe Spanja, vendet mes më të prekurve nga pandemia prezantojnë sot planet e tyre për lehtësimin progresiv të kufizimit, në një kohë që numri i rasteve të regjistruara në botë ka kaluar shifrën tre milionë.

Në SHBA, vendi që regjistron bilancin më të rëndë të rasteve dhe të numrit të të vdekurve me COVID-19, presidenti Donald Trump akuzoi Kinën se ka keqmenaxhuar këtë krizë shëndetësore botërore, që ka filluar atje. Ai ka arritur deri aty sa t’i kërkojë KInës një dëmshpërblim me një vlerë shumë të lartë.

Në Europë, francezët do të mësojnë sot nga kryeministri,Edouard Philippe nëse mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme, nëse shkollat do të hapen dhe nëse lëvizjet ndër rajonale do të lejohen.

Ajo që është thelbësore, ringjallja e ekonomisë dhe kontrolli i epidemisë. Në të gjitha rastet, një rikthim në jetën normale është përjashtuar deri më 11 maj, datë e parashikuar për heqjen e një kufizimi në fuqi që prej 17 marsit në këtë vend.

Spanja, ku kufizimi është zgjatur deri më 9 maj, plani i lehtësimit pritet sot.

Që nga e diela, në këtë vend ku banorët janë mbyllur në shtëpitë e tyre për gjashtë javë, fëmijët më në fund mund të luajnë në rrugë me kusht që të respektojnë një numër të caktuar kufizimesh.

Disa vende të tjera evropiane por edhe dhjetëra shtete amerikane kanë filluar një dalje të kujdesshme nga kufizimi, të inkurajuar nga një ngadalësim i kontaminimeve dhe ulja e numrit të të vdekurve.

Me gati një të tretën e rasteve dhe më shumë se 56 000 nga 210 000 viktimat në të gjithë botën, SHBA-ja është deri tani vendi më i prekur, por ekzistojnë pabarazi të mëdha rajonale mes zonave rurale, shumë pak të shqetësuar dhe rajonit të Nju Jorkut, epiqendra e krizës.