Legjenda e Man Utd pranon se nuk arriti të sigurojë transferimin e Bellinghamit

Ish-ylli i Manchester United, Bryan Robson, ka folur për përpjekjen e dështuar të klubit për të nënshkruar me Jude Bellingham në të kaluarën.

Bellingham ka vazhduar ngritjen e tij si një yll i klasit botëror, pas një kalimi në vitin 2023 te Real Madrid, pasi Los Blancos përfundimisht ia doli mbanë aty ku United dështoi.

Reprezentuesi anglez ishte i lidhur me një lëvizje te United, përpara se të bashkohej me Borussia Dortmund në vitin 2020, por ai vendosi të bënte hapin drejt Gjermanisë.

Pavarësisht se udhëhoqi garën, United nuk ishte në gjendje të bindte Bellinghamin, me Dortmundin që ofronte një ofertë më të mirë.

Robson dhe një mori legjendash të tjera të Unitedit ishin pjesë e një grupi të pranishëm në ditën kur Bellingham u shfaq rreth qendrës stërvitore në Mançester.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve më të mira të United, Bellingham hodhi poshtë një marrëveshje të mundshme në Old Trafford dhe Robson pranon se ishin bërë gabime në projekt.

 

“Ishte vërtet zhgënjyese. Ne ishim në Carrington dhe Sir Alex Ferguson ishte atje pak më herët se unë. Eric Cantona dhe unë e takuam atë, mamanë dhe babanë e tij dhe biseduam”, ka thënë fillimisht Robson në një intervistë për Telegraph Sport.

“Dukej premtuese që ai do të nënshkruante për Manchester United… por, unë dhe Eric bëmë një punë të kotë pasi ai nënshkroi për Borussia Dortmund! Menduam se e kishim në çantë”, përfundoi legjenda e Djajve të Kuq.

United u përfol se ishte sërish i interesuar për Bellingham përpara lëvizjes së tij në Madrid, por nuk ndryshoi mendje dhe 20-vjeçari ka shijuar një fillim të bujshëm me Los Blancos.