Leao shqetëson tifozët e Milanit me komentet për të ardhmen

Rafael Leao nuk u shmang nga fakti se ai dëshiron të fitojë gjëra të mëdha dhe sugjeroi se është plotësisht i fokusuar te Milani për dy-tre vitet e ardhshme, por që ka thënë se në futboll nuk mund të thuash kurrë (që të largohet).

Anësori 24-vjeçar portugez, i cili nënshkroi një kontratë të re pesëvjeçare me klubin në qershor, ka qenë në formë të mirë për kuqezinjtë në fazat e hershme të këtij sezoni, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë dy asistime në gjashtë ndeshjet e para në të gjitha garat.

Leao është ylli më i shquar në skuadrën e Stefano Piolit dhe është vënë nën kritika kohët e fundit për dështimin në respektimin e detyrave mbrojtëse me ekipin, duke bërë që disa të sugjerojnë se i gjithë plani i klubit sillet rreth tij.

“Besoj se klubi është në rrugën e duhur, arritëm të arrijmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Tani objektivi i klubit duhet të jetë të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të shtojë cilësi, të vazhdojë të jetë i fortë”, ka thënë fillimisht Leao.

“Dhe jam i sigurt se Milani së shpejti do t’i rikthehet fitimit të Ligës së Kampionëve, që është qëllimi ynë. Unë flas për veten time, jam i ri, jam një lojtar që dëshiron të fitojë gjëra të mëdha, Liga e Kampionëve mendoj se është ëndrra e çdo lojtari dhe ne po punojmë për këtë”.

24-vjeçari foli për përvojën e ekipit pavarësisht moshës mesatare relativisht të re.

“Edhe pse jemi të rinj, kemi luajtur më shumë se 50 ndeshje në Serie A, më shumë se 20 në Ligën e Kampionëve, tashmë kemi një përvojë”, potencoi më tej ai.

“Ne mund ta marrim këtë përvojë dhe këtë freski të të qenit të rinj dhe ta zbatojmë atë në fushë për të arritur qëllimet tona”.

Leao u pyet për mundësinë e largimit nga Milani në të ardhmen.

“Nuk mund të thuash kurrë, por unë jam në një klub që më priti shumë mirë, kam rinovuar kontratën time tani, nëse do të mendoja të largohesha nuk do ta rinovoja, jam i fokusuar të bëj gjëra të mëdha në dy ose tre vitet e ardhshme me Milanin”, ka vazhduar anësori.

Së fundi, Leao komentoi çdo tundim të mundshëm nga klubet e pasura të Arabisë Saudite.

“Nuk kam arritur ende rezultate të mëdha për të shkuar në një ligë të tillë. Ditët e fundit paratë kanë folur më shumë, por për mua një Ligë e Kampionëve vlen më shumë se një pagë prej 10 milionë euro, për shembull”, shtoi më tej Leao.