Leao ëndërron fitimin e Ligës së Kampionëve me Milanin

Rafael Leao vazhdon të jetë lojtari kryesor i Milanit dhe këtë ai e dëshmoi edhe në fundjavë.

Sulmuesi portugez realizoi një gol të bukur të shtunën për t’i dhuruar Milanit të tij tre pikë në përballje ndaj Hellas Veronës.

Leao po beson se Milani është në rrugën e duhur dhe është i bindur se shumë shpejtë Rossonerët do ta fitojnë edhe garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.

“Unë besoj se klubi është në rrugën e duhur, ne arritëm në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.

“Tani objektivi i klubit duhet të jetë të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të jetë i fortë. Unë jam i sigurt se Milani së shpejti do t’i rikthehet fitimit të Ligës së Kampionëve, që është qëllimi ynë”, tha Leao.

Anësori këmbëshpejtë thotë se triumfi në ‘Champions’ ka qenë ëndrra e tij që nga fëmijëria dhe synon që ta bëj realitet.

“Unë flas për veten time, jam i ri, jam një lojtar që dëshiron të fitojë gjëra të mëdha, mendoj se Liga e Kampionëve është ëndrra e çdo lojtari dhe ne po punojmë për këtë”, u shpreh Leao.