Lea Ypi vjen në Shkup, do të nderohet me çmimin “BookStar 2026”

Autorja shqiptare me famë ndërkombëtareLea Ypi, do të takohet me publikun në Shkup më 24 gusht 2026, në orën 19:00, në hapësirat e Laboratoriumit, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kësaj mbrëmjeje, Ypit do t’i ndahet çmimi “BookStar 2026” për librin e saj “Të lirë” (“Free”), një vepër në të cilën autorja flet hapur dhe pa frikë për lirinë, shoqërinë dhe përvojën e rritjes në një periudhë ndryshimesh të mëdha historike.

Pas ndarjes së çmimit do të zhvillohet një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë me autoren, ku publiku do të ketë mundësi të dëgjojë më shumë për librin, përvojën e saj personale dhe temat që trajton në krijimtarinë e saj. Biseda do të moderohet nga Kalina Maleska.

Ngjarja organizohet si aktivitet paraprak i Festivalit të Letërsisë Evropiane BookStar, jashtë programit të zakonshëm të festivalit. Nën moton “FREE AT LEAST!”, ky takim do të shënojë edhe fillimin e muajit të aktiviteteve të BookStar.

Edicioni i 12-të i festivalit BookStar 2026 do të mbahet nga 28 deri më 30 shtator.