“Le Matan”: Kryeministri i cili e investoi tërë peshën e tij politike në përparimin e rrugës evropiane të vendit të tij dha dorëheqje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, socialdemokrati Zoran Zaev dha dorëheqje në vigjilje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në prill, të cilat ishin shpallur prejse Bashkimi Evropian e anuloi fillimin e negocioatave për anëtarësim të vendit, që ishte thelbi i politikës së tij, citon gazeta ditore zvicerane “Le Matan” në faqen e tij të internetit.

Gazeta citon se vendimi i BE-së në tetor të mos fillojë negociata për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, për shkak të presionit të Francës, shkaktoi valë të zhgënjimit në Ballkan.

“Zhgënjimi ishte veçanërisht i madh në Maqedoninë e Veriut, ku kryeministri Zoran Zaev e investoi tërë peshën e politikës së tij në përparimin e rrugës evropiane të vendit të tij”, shkruan gazeta zvicerane.

“Le Matan” citon se menjëherë pas bllokadës evropiane, kryeministri socialdemokrat paralajmëroi shpallje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për më 12 prill, me qëllim që të kërkojë nga votuesit ta konfirmojnë strategjinë e tij politike.

Në pajtim me ligjin ai sot e nënshkruajti dorëheqjen e tij me qëllim që të lëshojë vend në qeverinë përgjegjëse për kryerjen e punëve deri në zgjedhje. Kjo qeveri teknike, e cila përbëhet nga shumica në koalicion dhe opozitë, duhet të udhëhiqet nga Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Zaevit. Parlamenti duhet të miratojë emërim të këtij kabineti gjatë ditës, thekson “Le Matan”.

Gazeta më tutje përkujton se Zoran Zaev në vitin 2017 “e rrëzoi nga pushteti partinë e krahut të djathtë të Nikolla Gruevskit”. “Nikolla Gruevski ka qeverisur me vendin një dekadë, para se të ndërrohet, i rrethuar me afera për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe përgjim ilegal, pas të cilave u arratis në vendet e huaja”, shton gazeta.

“Le Matan” thekson se edhe krahas kundërshtimit të ashpër të nacionalistëve, Zaev “filloi proces politik të rrezikshëm dhe kompleks për ndryshim të emrit të vendit të tij, i cili më parë quhej Maqedonia, me qëllim që t’i japë fund kontestit shumëvjeçar me Greqinë”.

“Brukseli ka insistuar në këtë ndryshim, duke premtuar se ish republika jugosllave do të shpërblehet për atë”; thekson “Le Matan”.