LDK-ja kërkon shkarkimin e Haxhiut

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Të premten, kjo gjykatë vendosi, pas pretendimeve të ngritura nga LDK-ja dhe PDK-ja, që ta rrëzojë ligjin duke thënë se ai bie ndesh me disa nene të Kushtetutës.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, thuhet në një reagim të LDK-së pas vendimit të Kushtetueses.

Haxhiu deri tash ka qenë e paqasshme për të komentuar vendimin. Ajo ka ftuar konferencë për media për të shtunën.