LDK: Isa Mustafa nuk ka dhënë dorëheqje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një njoftimi ka reaguar në lidhje me punën e dorëheqjeve nga kjo parti pas rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit.

LDK-ja ka thënë se askush nuk ka dhënë dorëheqje.

Sipas LDK-së, vetëm kryetari Isa Mustafa ka paralajmëruar se do të ofrojë dorëheqje në Kuvendin e partisë kurdo që do të mbahet. Për Kryesinë ka thënë se është me autoritet të plotë.

“Për sqarim të opinionit, Kryesia e LDK-së nuk është në dorëheqje, si e cilësojnë disa media, por me autoritet të plotë deri në riorganizimet që mund të ndodhin pas zgjedhjes së Kryetarit. Vetëm kryetari i LDK-së ka paralajmëruar dorëheqje, të cilën do t’ia ofrojë Kuvendit të LDK-së”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Informim të LDK-së.

Në ditën që kryetari Mustafa ka folur për dorëheqjen, nënkryetari Lutfi Haziri i ka thënë KTV-së se e gjithë Kryesia e LDK-së është në dorëheqje.

Sot mblidhet Kryesia e LDK-së, do të bëhen diskutime për Kuvend

Sot nga ora 16:30 do të mblidhet Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

KOHA mëson se në këtë mbledhje do të bëhen përgatitje për Kuvendin e LDK-së, ku pritet të zgjidhet Kryesia e re.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dhënë dorëheqje pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ajo doli e treta në këto zgjedhje, duke shënuar rezultatin më të dobët në historinë e kësaj partie. Nga numërimi i votave të rregullta, LDK-ja ka 13 për qind të votave. Deri tash nuk është bërë e ditur se kush do ta marrë pozitën e të parit të kësaj partie.