LDK akuzon VV për emërime familjare e politike, kërkon të ndërpritet një gjë e tillë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet se në prag të 100-ditëshit të parë në ekzekutiv ka shërbyer si strehë për familjarë, aktivistë e përkrahës të saj në pozita të rëndësishme, dhe ka kërkuar që të ndërpritet një gjë e tillë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, në një konferencë për media akuzoi Vetëvendosjen duke thënë se këto emërime po bëhen me qëllim të kapjes së institucioneve të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura.

“Një qasje e tillë përbën shkelje të të drejtave të njeriut, sidomos kur merret parasysh edhe konteksti ynë shoqëror. LDK vlerëson se këto emërime po bëhen me qëllim të kapjes së institucioneve të ndërmarrjeve publike dhe të agjencive të pavarura. Aq më keq, është mënyra sesi po mundohen të arsyetohen këto punësime familjare, duke shpërfaqur kështu arrogancën e numrave të mazhorancës. Çdo ditë kemi lajme që në këtë institucion shkoi familjari i ministrit, i kryetarit të Kuvendit, i kryeministrit, të cilat tashmë janë bërë publike me emra e përemra”, tha ai.

Manaj tha se ministrat dhe deputetët e VV-së kanë filluar një fushatë kundër personave të emëruar në institucione të pavarura, për çka akuzoi edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Kjo qasje e tillë rrezikon dukshëm pavarësinë e institucioneve të pavarura, të cilat janë të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë. Prandaj, i bëjmë thirrje kryeministrit të partisë në pushtet që të ndalë këtë fushatë, sepse qytetarët e vendit nuk e kanë votuar për t’i degraduar institucionet e pavarura por për t’i avancuar ato dhe për t’i avancuar proceset e integrimit euroatlantik. Është shqetësues fakti se gjatë këtyre ditëve të qeverisjes, që zyrtarët e lartë institucionalë të partisë në pushtet që kanë aktakuza, po iu qasen me arrogancë dhe po tentojnë t’i frikësojnë gjyqtarët, prokurorët dhe krerët e institucioneve të drejtësisë. Vetë ministrja e Drejtësisë tenton të frikësojë prokurorin në seancë gjyqësore dhe pastaj me qasjen e saj ndërhyn hapur në punën e Prokurorisë dhe gjykatave edhe në takime publike me krerët e këtyre institucioneve”, tha Manaj.

Manaj akuza pati edhe për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për të cilin tha se ka dhënë deklarata shqetësuese për punën operacionale të Policisë, pa nxjerrë raport Inspektorati i Policisë së Kosovës. Për këtë, ai kërkoi që ndalen deklarimet e tilla, në mënyrë që të ruhet siguria dhe rendi publik.

Në konferencën për media u fol edhe për dialogun me Serbinë, ku zëdhënësja e LDK-së Sibel Halimi tha se kryeministri Albin Kurti ka lënë në amulli qytetarët e vendit lidhur me këtë çështje.

“Shoqëria kosovare mbetet në amulli apo konfuzion se cila është strategjia, platforma apo temat që do të diskutohen në këtë dialog. Andaj, ne shpresojmë shumë që nesër gjatë seancës kryeministri Kurti do të prezantojë pikat qendrore të platformës të dialogut Kosovë – Serbi, pastaj presim që i njëjti kur të kthehet të bëjë prezantimin se çfarë është diskutuar në Bruksel”, u shpreh ajo.