Laurie Metcalf zbulon një moment të veçantë me Bruce Willis, ylli i Die Hard i kishte bërë një gjest bujar

Aktorja e njohur e Broadway-t, Laurie Metcalf, e cilësoi të mërkurën Bruce Willisin si “një njeri jashtëzakonisht bujar”, teksa aktori vazhdon betejën e tij me afazinë dhe demencën.

Metcalf, 70 vjeçe, tregoi se Willis, 71 vjeç, e kishte zakon të “shpërndante dhurata pa hezitim për aktorët dhe stafin”, gjatë kohës kur luanin së bashku në adaptimin skenik të romanit “Misery” të Stephen Kingut, nën regjinë e Will Frears, në vitin 2015.

Fituesja e çmimit Emmy, gjatë paraqitjes së saj në podcastin “Happy Sad Confused”, ndau një histori që tregonte marrëdhënien e mirë që kishte krijuar me yllin e filmit “Die Hard”.

Në këtë shfaqje, Willis dhe Metcalf interpretonin personazhet Paul Sheldon dhe Annie Wilkes, role që më parë ishin luajtur në filmin e vitit 1990 nga i ndjeri James Caan dhe Kathy Bates, kjo e fundit fituese e çmimit Oscar për atë interpretim.

Metcalf, e nominuar për Oscar në vitin 2018 për rolin e saj në filmin “Lady Bird”, tha se Willis kalonte “orë të tëra” duke vendosur proteza dhe grim për të luajtur personazhin e Sheldonit, i cili pjesën më të madhe të historisë e kalon i shtrirë në shtrat.

“Ulesha pranë tij në shtrat dhe bisedonim për ditën tonë dhe për fëmijët tanë. Një herë i thashë: ‘Djali im i madh po vjen në qytet. Ku më sugjeron të shkojmë?’”, kujtoi Metcalf.

Aktorja, e njohur për rolin e Jackie Harris në serialet “Roseanne” dhe më vonë “The Conners”, tha se Willis i rekomandoi të shkonte me djalin e saj, Will Roth, në restorantin Nobu.

Më pas, sipas Metcalf, Willis organizoi që darka e tyre me ushqime deti të paguhej prej tij.

“Të nesërmen i thashë Bruce-it, pak para fillimit të shfaqjes: ‘Po shkoj me Willin në Nobu, jemi shumë të emocionuar’. Ai m’u përgjigj: ‘Shumë mirë, shpresoj t’ju pëlqejë’.”

Ajo vazhdoi: “Të nesërmen, ndoshta pas shfaqjes së dytë, Willi dhe unë shkuam atje. Porositëm shumë gjëra dhe, sa më kujtohet, u ulëm në një nga tavolinat më të mira të restorantit.”

Në fund, Metcalf tregoi se, kur erdhi momenti për të paguar faturën, mori një surprizë:

“Sigurisht që shkova për të paguar dhe më pas më thanë: ‘Na vjen keq, por kjo tashmë është paguar nga zoti Willis.’”.