Largohen flamujt serbë nga objekti i Komunës së Zveçanit, vendoset flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës është vendosur para pak minutash në objektin e Komunës së Zveçanit.

Gazetarja e T7, Elena Ukaj, po qëndron atje, prej ku ka dërguar pamje nga momenti kur janë larguar flamujt e Serbisë nga objekti dhe është vënë ai i Kosovës.

Objekti i Komunës së Zveçanit dhe komunave tjera veriore, janë duke u ruajtur nga Policia e Kosovës, pas tensioneve të djeshme.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka arritur të futet dje në objektin e komunës, vetëm pas asistimit të Policisë së Kosovës.

Ndryshe, tensionet në veri të vendit u rritën pas betimit të kryetarëve të rinj, të cilët dje duhej ta fillonin punën në objektet përkatëse komunale.

Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre. Ata arritën të futen në zyret e tyre, me asistimin e Policisë.

Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar ashpër ndërkombëtarët. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve.

Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.