Lamtumirë, hijena!

Nga: Çun Lajçi

Lamtumirë, hijena!
Unë i vogli këthehem të populli im!

E sheh?
Edhe këta ikën!
U futën n’lëvozhgën e vet.
Si ata para tri vitësh, e para tyne ata tjerët!
Kështu e kanë fundin këta, që marrin rrugët e yllit t’kuq.
I fusin kambët e kokat n’samar, si breshkat, kur veton e bubullon!
E presin t’i nxjerrin, kur dielli t’i lëshon rrezet mbi mal!
M’thuej, nëse s’ma merr për ters, ti artist i vogël i popullit,
ku mbete ti, me fjalët tua mehlem, për njenin e tjetrin?
Sa fitove me vargun, pushkëhollën, për t’riun, sa për dyfekun e t’vjetrit!

Kangë maje krahu për fituesin, e gjamë për xhepat tu!
A s’asht kështu?

Ç’tu desht me humb burrninë, për hajnin, mashtruesin, rrencin?
Ku mbeti fytyra jote, të ata që të duen?
Që ndër vite të deshtën!?
Pse deshte me ba ma trim, ma burr, se ç’asht Ramushi? Me ba ma njerëzorë, seç e ka falë Zoti Thaçin!
Ti, dashke me kthye n’rrugën e drejt Albinin?
Po kush je ti?
Pse e humbë vetën, për njenin e tjetrin, kur ata s’të njohin, e s’të shohin.
Ata e duen pushtetin e vetën.
S’jetojnë për artin tand! As që vinë me t’pa!
Ata, veç ta marrin, edhe atë grimë emën, që e ke të populli!
Mos i dëshpëro ata që ta duen vargun e fjalën e kangën.
Rri me zantin tand e me popullin, e kënaqi, dhe ik prej pushtetarit, se ta vret andrrën e artin!

– Të thanë do të djegun, para teje:
Ik prej tyne, se këta nuk ngopën me kangë e poezi!
Ti grosh s’ke m’ua mbushë gushat!
T’i duan, vetëm lavdet që ua thua, ato t’i marrin vesh, e jo pse je artist.
Ata s’e kuptojnë pushtetin që e ushtrojnë, e lere ma satirën, dramën, sarkazmin, tragjedinë.
Ku kan kohë këta për Shekspir, Kamy, Gete, Kadare, Eskil.
Këta hala sorollatën Lugjeve të Verdha, t’Rexep Hoxhës!
Këta, kanë sharrua n’tragjedi, e kujtojnë se palaço jemi ne artistët!

– Ik prej t’pushtetshmit, na thoshte çdo plak, se ai asht rrenc, mashtrues, hajnë që e vjedhë shtëpinë e vet.
– Ik prej t’pushtetshmit, se asht si uji i turbullt, që ty t’mbytë, jo ate!
– Ik prej zjarrmit e pushtetit, n’paç sy e vesh!
Ç’të lidhë ty me pushtetin?
Me pushtetarin tru thatë e t’verbuem lakmishë?
Ideali?
Cili?
Me vjedhë natën e ditën m’u falë n’xhami?
Pse s’vinë ata të ti, kur ata kanë nevojë për qytetarin!
Pse vrapon ti mbas tyne, kur ata paguhen me t’rrejtë ty e tjetrin, e n’fund me vjedhë shtetin e vet, e me krye mandatin!
Presidentat e Kryeministrat, janë përsonazhet tu, që n’teatër i ke luejt.
Lir,Jago, Hamlet, Magbeth, Othello!
– Por kurrë Agron e kurrë Adem!
Këthehu të kanga, të vargu të lahuta e populli.
Të malli yt për vajzën tande n’varr, e me za buçitës thuej: Unë s’jam Ju, jam vetëm Unë!
Artist i vogël i popullit, që jeton për popullin!
Ikni, varuni n’yllin e kuq hijena!

Dardani, 02.05.2020