Lakers rikthehet te fitorja, mposhtin me lehtësi Portlandin

Los Angeles Lakers janë rikthyer te fitorja në NBA pas humbjes dy ditë më parë nga Brooklyn Nets.

Skuadra nga Kalifornia ka luajtur përballë Portland Trail Blazers në Crypto Arena, derisa ka fituar me 24 pikë diferencë 134:110.

Lakers ka dominuar nga fillimi deri në fund të ndeshjes, duke mbajtur konstant epërsinë dhe duke mos iu rrezikuar në asnjë moment fitorja.

D’Angelo Russell ka qenë më efikasi në këtë sfidë me 34 pikë dhe shtoi edhe tetë asistime për bashkëlojtarët e tij.

Me lojë të mirë u dallua edhe LeBron James që realizoi 28 pikë të tjera si dhe shtoi pesë kërcime e pesë asistime.

Te skuadra mysafire më i miri në parket ishte Malcolm Brogdon me 23 pikë, por që në fund nuk mjaftuan për fitore.