Lajmet e mira me afat të përdorimit

Shkruan: Blerim Shala

25 sekonda dhe 12 vjet.

Koha ka vlerë të madhe në jetë, dhe madje, edhe më të madhe në politikë.

U bënë gati 24 vjet në liri, dhe ato kaluan shpejt, me të mirat dhe të këqijat që i kemi përjetuar së bashku, të gjithë ne.

Ato dhjetë vitet e okupimit të mirëfilltë të Kosovës, për secilin prej nesh që ka qenë këndejpari në atë harkun 1989-1999, ishin të gjata sa një shekull të plotë.

Çdo ditë ishte sa një javë. Çdo javë ishte sa një muaj. Çdo muaj sa një vjet. Çdo vjet ishte sa një decenie.

Por, t’i kthehemi asaj fjalisë hyrëse në këtë tekst.

Vetëm 25 sekonda i u deshën këtë të martë  (18 prill), Parlamentit Evropian që të merr vendimin për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës udhëtimin e lirë në Zonën Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Askush nuk ishte kundër këtij vendimi.

Ndërsa Kosova, si askush tjetër, u desht të pres 12 vjet të plota që ta fitojë këtë të drejtë, të cilën e ka merituar prej pranverës së vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës plotësoi kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, me Ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

Kur të gjithë ne flasim këto ditë për këtë arritje e cila na takon të gjithë neve, si qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk mund të vërehet dot ndonjë entuziazëm apo farë gëzimi i madh.

Fjalia më e përdorur prej nesh prej ditës së djeshme ka qenë: ‘Më në fund’. Teksa, nuk janë të paktë ata që thanë: ‘Larg është 1 janari i vitit të ardhshëm, ndoshta edhe pendohen këta në Bruksel…’.

Kur të bëhen bashkë të gjitha komentet dhe shpjegimet që janë dëgjuar prej qytetarëve të Kosovës në këto dy ditët e mbrama, duket që mund të konkludohet pa bërë gabim të madh që edhe lajmet e mira kanë afat të përdorimit, apo, që kur ndodhë skadenca e tyre, e mira që sjellin këto lajme relativizohet fare.

A nuk është kështu me këtë rast, apo, me këtë lajmin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës?

Deri në pranverën e vitit 2018, kemi menduar që ne humbëm disa vjet  (së paku dy, mos më shumë), për ta fituar këtë mundësi, për ta gëzuar këtë të drejtë, për shkak të dështimit në përmbushjen e atij kriteri që kishte të bëjë me Ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Por, prej marsit të para pesë viteve, kanë kaluar shumë ditë, javë dhe muaj, kur qytetarët e Kosovës, në mënyrën më të keqe të mundshme, të pashpjegueshme sot e kësaj dite, u privuan nga kjo e drejtë që të pranohen në këtë mënyrë si qytetarë evropianë, të cilët pa viza udhëtojnë në thuaja gjithë kontinentin evropian.

Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian disa herë konstatuan që Kosova nuk ka më çka të bëjë, kur flitet për kriteret e përcaktuara nga Brukseli, apo, që tani i ka mbetur vetëm shteteve anëtare të dakordohen, me një votë madje që është shumicë e kualifikuar  (e jo votë pozitive e të gjitha shteteve anëtare), për t’i lejuar kosovarët që vetëm me pasaportat biometrike t’ia mësynë shteteve në Evropë, ku thuaja secili prej tyre ka qytetarë me prejardhje nga Kosova, të cilët jetojnë dhe punojnë atje.

Për fatin tonë të keq, në pesë vitet e kaluara gjithmonë gjindej një shkak për të mos e trajtuar fare këtë temë, teksa ne kot shpresonim që prej 1 janarit të vitit vijues do të udhëtojmë lirshëm në Evropë.

Kjo është një histori e njohur për të gjithë ne.

Kosovës nuk ka pasur çka t’i ofrohet deri vonë zatën, pos këtij liberalizimi të vizave, prandaj, dikush mund të shtojë këtu që gjithë kjo vonesë e lodhshme për të gjithë ne, mbase, e ka justifikimin e vet në këtë fakt.

Kosova është shtet i pavarur, dhe kjo nuk do të ndryshojë as sot, as kurrë.

22 shtete të BE-së e kanë njohur Kosovën qysh në vitin 2008-të, prej shkurtit deri në tetorin e atij viti.

Askush në BE nuk ka dyshim që Kosova bën pjesë në atë WB6  (gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor), si edhe pesë shtetet e tjera, dhe që Kosova do të hyjë në Bashkimin Evropian, herët a vonë.

Tash, pse i ka ra hise shqiptarëve të Kosovës që të gjitha arritjet e tyre t’i paguajnë më shtrenjtë se të gjithë popujt dhe shtetet e Ballkanit, ky është një rrëfim në veti. I cili duket se nuk do të merr fund. Kurrë.