Lajmërohet kosovari i parë vullnetar për luftën në Ukrainë, ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës

Agron Bytyqi nga Peqani i Suharekës, është vullnetari i parë kosovar që ka shprehur dëshirën të ndihmojë ushtrinë ukrainase në luftimet ndaj pushtuesit rus.

Në një intervistë për Indeksonline, Bytyqi ka thënë se ka shprehur vullnetin pa asnjë interes.

Qytetari nga Suhareka ka kërkuar një përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse do e lejoja shkuarjen e tij, dhe nëse do ketë vendim që nëse kthehet i gjallë nga lufta, mos të ketë dënim me ligj.

“I bëj kërkesë Qeverisë të Kosovës nëse më lejohet ti bashkohem forcave ushtarake për mbrojtjen e territorit të tyre. I kam parë edhe disa shqiptarë që janë të veshur në ushtrinë ukrainase, dhe kam shpreh vullentin të iu bashkangjitem atyre. Kam shpreh këtë vullnet për shkak se ata janë nën thundrat e okupatorit, ashtu siç ishim dikur ne. Kam shpreh këtë vullnet pa kurrfar interesi personal, vetëm në emër të Zotit të iu ndihmoj. Nëse kthehem shëndosh e mirë nga lufta, a do më lejojë Qeveria e Kosovës të kthehem pa dënim. I lutem Qeverisë të më kthej përgjigje sa më shpejt të jetë e mundur” ka thënë Agron Bytyqi për Indeksonline.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se do të diskutohet mundësia e lejimit të shkuarjes së kosovarëve në luftën e Ukrainës, por me disa kushte.

Kosova aktualisht ka një ligj që ndalon shkuarjen e qytetarëve të saj në luftëra të huaja./Indeksonline/