Lajm i mirë për Gostivarin: Shërohet pacientja e vetme me COVID19

Mbajti mbledhje Shtabi i emergjencës – Gostivari mbetet vetëm me një person të infektuar

Shtabi i emergjencës në Gostivar ku përfshihen komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë mbajti mbledhje të rregullt në të cilën u shqyrtua situata aktuale me koronavirusin dhe u përcaktuan masat që duhet të ndërmerren në vijim.

Me mbledhjen, në cilësinë e kryetarit të Shtabit të emergjencës, kryesoi kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani dhe i Mavrovë-Rostushës, Medat Kurtovski.

Tre kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe organeve përkatëse, raportojnë për gjendjen aktuale, masat që ndërmarrin dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.

Ndër ata të cilët raportuan ishin kryeshefi i OPB – Gostivar, drejtori Spitalit të përgjithshëm, drejtori i Shtëpisë së shëndetit, përfaqësuesja e Qendrës për menaxhim me kriza, përfaqësuesja e Drejtorisë për shpëtim, si dhe përfaqësues të inspektorateve të ndryshme, të gjitha këto që kompetencat e tyre i ushtrojnë në nivel të tre komunave.

Për dallim nga mbledhjet e kaluara, sot të ftuar ishin edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq – Gostivar dhe të organizatave joqeveritare.

Konstatim i përgjithshëm ishte se situata në përgjithësi është nën kontroll, dhe se problemet me të cilat ballafaqohen si institucionet ashtu edhe vetë qytetarët janë të përballueshme dhe ato mund të minimizohen me bashkëpunim dhe koordinim të thelluar.

Në rajonin më të gjerë të Gostivarit, mbetet vetëm një grua e regjistruar me koronavirus, e cila nesër do të lëshohet në kurim shtëpiak dhe në 14 ditët e ardhshme do të jetë në vetizolim, ndërsa janë testuar gjithsej 36 persona, transmeton Gazeta Lajm.

Me qëllim që të kanalizohet shpërndarja e ndihmave familjeve të rrezikuara, u vendos që nesër në ora 11:00 në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit të mbahet një mbledhje koordinatave ku do të përcaktohen masat që do të ndërmerren konform normave për raste emergjente.

Kryetari i komunës së Gostivarit falënderoi institucionet për ushtrimin detyrës së tyre në nivelin e duhur, e sidomos qytetarët për sjelljen e tyre të ndërgjegjshme dhe respektimin e rekomandimeve të Qeverisë.

Мbledhjen e radhës së Shtabit të Emergjencës, kryetari Taravari e caktoi për të enjten në orën 11:00 në sallën e Këshillit të Komunës Gostivar.